Schalke të shtunën në orën 20:30 do të luajë kundër Dynamo Dresdenit në një prej ndeshjeve më të zjarrta, falë rivalitetit që e kanë këto dy ekipe mes vete.
Schalke që është në luftë për t’u rikthyer në Bundesligë, në radhët e veta pritet ta ketë të gatshëm për lojë edhe Blendi Idrizin, reprezentuesin e Kosovës.
Idrizi që luan në rolin e mesfushorit sulmues, nuk ka qenë pjesë e skuadrës për shkak të lëndimit që e pësoi në gju.
Megjithatë, trajneri i skuadrës ka njoftuar të premten se ai është kthyer në stërvitje me bashkëlojtarët.
“Idrizi, Latza, Rzatkowski dhe Wouters janë rikthyer në stërvitje sërish. Do të shohim nëse ata janë në opsion. Sane ka kompletuar disa pjesë të stërvitjeve. Drexler është në dyshim”, ka thënë në konferencën për shtyp të premten trajneri Dimitrios Grammozis.
Në edicionin e ri, Idrizi ka luajtur në vetëm katër ndeshje.
Schalke është në vendin e tretë në Bundesliga 2, me tri pikë më pak se lideri St. Pauli.