Sport

Idrizi: Ishim më lart se Llapi në çdo aspekt

Trepça ’89 nuk është skuadra e vetme e Ligës së Parë që është kualifikuar në çerekfinale të Kupës së Kosovës në futboll. Por është e vetmja që në një të tetën e finales eliminoi skuadër të Superligës. Madje pretenduese për titull dhe tashmë ish-pretenduese për ta fituar Kupën.

Të dielën në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë, ‘89-shi mposhti Llapin me rezultatin 4:3. Ndeshja u vendos pas dy vazhdimeve nga 15 minuta. Koha e rregullt përfundoi 2:2.

Llapi nisi mirë takimin në Mitrovicë dhe kaloi në epërsi 1:0 që në minutën e shtatë. Ahmed Januzi ishte realizator. Sulmuesi me përvojë në minutën e 57-të shënoi për 2:0.

Por “xehetarët” nuk u dorëzuan. Mohamed Diaby shënoi për 2:1 në minutën e 63-të, ndërsa vazhdimet i siguroi Augustine Ameworlorna me golin e minutës së 79-të.

Vrullshëm mitrovicasit nisën në vazhdime, ndërsa për 3:2 shënoi Williams Kouame në minutën e 99-të. Armend Gashi shënoi për 4:2 në minutën e 110-të, ndërsa në minutën e 119-të, Muhamet Hyseni i Llapit vendosi rezultatin përfundimtar, 4:3.

Trepça ’89 është skuadër me nam në futbollin kosovar. Por aktualisht po lufton për kthim në elitë. Dhe me fitoren ndaj Llapit ka dëshmuar se dallimi në cilësi në mes të dy kategorive të para nuk është i madh.

“E mira e kësaj ndeshjeje ishte që kemi pasur mundësi të përgatitemi si duhet si në aspektin fizik ashtu edhe në atë taktik. E kemi ditur që do të jetë ndeshje e vështirë ndaj Llapit. Por pavarësisht kësaj, mendoj që kemi qenë më lart se Llapi në çdo aspekt”, ka thënë trajneri i Trepçës ’89, Shpëtim Idrizi.

‘89-shi është përgatitur në Shqipëri për pjesën e dytë të edicionit garues, ndërsa Llapi ishte në Turqi. Llapi është i dyti në Superligë.

Shpëtim Idrizi ka përgëzuar lojtarët për suksesin.

“Ata nuk janë ndalur gjatë 120 minutave lojë. Me pak fat mendoj se kemi mundur ta mbyllim ndeshjen gjatë 90 minutave. Prapëseprapë i përgëzoj lojtarët. Protagonistët kryesorë janë ata”, ka shtuar tekniku mitrovicas.

Stinorin pranveror Trepça ’89 e nis nga pozita e tretë në Grupin A të Ligës së Parë.

Prej Ligës së Parë në çerekfinale të Kupës janë kualifikuar edhe Suhareka e Vjosa. Prej Superligës në çerekfinale do të paraqiten Prishtina, Ballkani, Drita, Malisheva e Dukagjini.