Sport

I frymëzuar nga Fergusoni, Berbatov synon ta udhëheqë futbollin bullgar

Si lojtar në Manchester Unitedit, kurioziteti i Dimitar Berbatovit për udhëheqjen u ndez duke parë librat në zyrën e trajnerit Alex Ferguson. Një biografi e Napoleon Bonapartas i bëri përshtypje njërit prej sulmuesve më të mëdhenj të Bullgarisë, i cili tani po udhëheq një fushatë për ta marrë drejtimin e Federatës së Futbollit të Bullgarisë - një tregim që ka një histori të kohëve të fundit kaotike.

“Ky ishte libri i parë që tërhoqi vëmendjen time”, pranoi Berbatov në një intervistë, duke kujtuar periudhën e tij 2008-12 duke luajtur për një trajner, stili i menaxhimit të të cilit ishte studiuar në Shkollën e Biznesit të Harvardit. “Unë i thashë: ‘Shef, çfarë ka me gjithë këto autobiografi?’. Ai thotë: ‘Epo, Berba, unë po drejtoj një ushtri në njëfarë mënyre. Nëse mund të marr diçka nga të gjithë librat që lexoj, mund ta zbatoj në filozofinë time për t'ju udhëhequr’”.

Berbatov ka ide të qarta se si do ta nxirrte futbollin bullgar nga një rënie e madhe. Përfaqësuesja e Bullgarisë dikur ishte një element kryesor në Kupat e Botës - duke u kualifikuar në shtatë nga dhjetë edicionet deri në vitin 1998 - dhe arriti në gjysmëfinale në vitin 1994. Berbatov fitoi një votim nga klubet në Bullgari javën e kaluar, takim i mbajtur një orë pasi një asamble zyrtare e federatës bullgare të futbollit u anulua. Presidenti në detyrë, Borislav Mihailov, ishte portieri i atij ekipi që luajti në gjysmëfinale të Botërorit të vitit 1994. Federata ka reaguar të enjten duke pezulluar dhjetëra klube që morën pjesë në takim. Ngërçi ligjor është “qesharak”, tha Berbatov, dhe ai u ka kërkuar organeve drejtuese të futbollit FIFA-s dhe UEFA-s që të ndihmojnë në krijimin e rendit. Ai dëshiron një “kongres të ndershëm” për të dhënë qartësi.

“Ajo që po ndodh tani është e trishtueshme”, insistoi ai. “Askush nuk fiton. Nuk dua që të jetë kështu”.

Rënia e futbollit bullgar në fushë ka qenë e qartë që nga paraqitja e tij e fundit në një turne madhor, Kampionatin Evropian të vitit 2004, me Berbatovin si sulmuesin yll nga Bayer Leverkuseni. Jashtë fushës, problemet u transmetuan në botë në tetor të vitit 2019, kur Anglia vizitoi Sofjen për një lojë kualifikuese për “Euro 2020”. Anglia fitoi 6:0, por loja u ndërpre dy herë pasi tifozët bullgarë bënë përshëndetje naziste dhe brohorisnin zhurma të majmunëve ndaj lojtarëve me ngjyrë.

“Kjo është diçka që nuk duhet të ndodhë kurrë në botën e futbollit”, tha Berbatov.

Mihailov, i cili kishte udhëhequr federatën për 14 vjet, dha dorëheqjen të nesërmen nën presionin e kryeministrit të atëhershëm të vendit. Zyrat e federatës u bastisën nga policia. Mihailov u kthye 18 muaj më vonë, një ditë pasi Berbatov nisi fushatën e tij. Një fitore zgjedhore për Mihailovin tetorin e kaluar u njoh nga FIFA dhe UEFA, por ajo është kundërshtuar në gjykatë. Rezultati nuk e pengoi dhe ndaloi ekipin e fushatës së Berbatovit, i cili përfshin dy yje të tjerë të “Euro 2004” të Bullgarisë, Stiliyan Petrovin dhe Martin Petrovin.

“Kam mbledhur një ekip shumë të mirë rreth meje, i cili ndjek mënyrën time të shikimit të gjërave”, tha Berbatov. "Një mënyrë e ndershme, sipas ligjeve të Bullgarisë”.

FIFA dhe UEFA i shkruan federatës këtë javë duke thënë se ata janë “shumë të shqetësuar për situatën e futbollit bullgar” dhe pranuan “një proces ligjor në vazhdim” për zgjedhjet e vitit të kaluar. Ndërsa e ardhmja është e pasigurt, Berbatov planifikon një strategji dhjetëvjeçare për të ringjallur zhvillimin e të rinjve në vendin që nxori fituesin e “Topit të Artë” në vitin 1994, Hristo Stoichkov. Berbatov luajti në dy finale të Ligës së Kampionëve - për Leverkusenin në vitin 2002 dhe Manchester Unitedin në vitin 2009 - megjithatë Përfaqësuesja aktuale e Bullgarisë nuk ka asnjë lojtar në një klub të lartë në një nga pesë ligat e mëdha të Evropës.

“Ne duhet të sigurohemi që akademitë tona të kenë një filozofi për të luajtur futboll”, tha ai. “Nuk po funksionon asgjë për kaq shumë vjet, sepse të gjithë punojnë në mënyrë të pavarur dhe askush nuk po dëgjon”.

Berbatov përmend Kroacinë, finalisten e Kupës së Botës “Rusia 2018”, popullsia e së cilës është pak më shumë se gjysma e pothuajse shtatë milionë banorëve të Bullgarisë, si një shembull për t'u ndjekur. Bullgaria do të luajë me Kroacinë javën e ardhshme një ndeshje miqësore në Katar, dy ditë përpara se 211 federatat anëtare të FIFA-s të mblidhen atje për kongresin e tyre vjetor.

“Unë kam plotësisht të drejtën të shkoj në Doha, gjithashtu për të përfaqësuar vendin tim”, tha Berbatov për pasigurinë, “por sigurisht askush nuk dëshiron që diçka e tillë të ndodhë”.