Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Hysaj pranë rinovimit me Napolin

Foto: Ilustrim

Mbrojtësi i Shqipërisë, Elseid Hysaj, pritet së shpejti të rinovojë kontratën me skuadrën e Napolit, përcjell të dielën uebfaqja italiane “Tuttomercatoweb”.

Mësohet se negociatat mes palëve tashmë kanë filluar dhe pritet të mbyllen me sukses brenda këtij muaji. Hysaj aktualisht ka kontratë me Napolin deri në vitin 2021, kurse pritet të rinovojë edhe për dy vjet të tjerë, me një pagë prej 2.7 milionë eurosh.

Gjithashtu, me rinovimin e kontratës, Hysajt do t’i hiqet edhe klauzola e lirimit në vlerë prej 50 milionë eurosh që e ka pasur deri më tani, shkruan Koha Ditore.

“Elseid Hysaj gjatë këtij muaji do ta rinovojë kontratën me Napolin deri në vitin 2023 dhe do të ketë një pagë vjetore prej 2.7 milionë eurosh”, ka shkruar “Tuttomercatoweb”.

Hysaj 25-vjeçar, është pjesë e Napolit prej vitit 2015 kur u transferua nga Empoli për pesë milionë euro. Ai këtë edicion ka regjistruar tetë paraqitje te Napoli në Serie A. Hysaj ka edhe 50 ndeshje dhe një gol të shënuar për Shqipërinë.