Sport

Huntelaari mund të kthehet te Schalke

Sulmuesi Klaas-Jan Huntelaar mund të kthehet te skuadra e Schalkes gjatë afatit kalimtar të janarit. Këtë e ka pranuar edhe trajneri i Schalkes, Christian Gross të premten për mediumet gjermane.

Schalke është në kërkim të një sulmuesi dhe po shpreson të siguroj shërbimet e holandezit 37-vjeçar deri në fund të këtij edicioni, në të cilin po synon mbetjen në Bundesligë. Huntelaar ka luajtur shtatë sezone te Schalke përpara se të largohet në vitin 2017 për t’iu bashkuar Ajaxit, ekip me të cilin aktualisht ka kontratë deri këtë verë.

“Interesimi ekziston nga të dyja palët dhe do të shohim si do të rrjedhin gjërat deri në fund të këtij muaji. Ai është një sulmues që e njeh klubin tonë, ka personalitet e cilësi dhe mund të na ndihmoj shumë”, është shprehur Gross.

Huntelaar këtë sezon ka shënuar shtatë gola në 14 ndeshje për Ajaxin në të gjitha garat.