Hungaria ka festuar fitoren e parë në një Kampionat Evropian të basketbollit pas plotë 48 vjetëve. Hungaria të hënën triumfoi me shifrat 85:73 ndaj Çekisë në ndeshjen e Grupit C, duke shënuar fitoren e parë që nga Eurobasket 1969.
Të dy përfaqësueset tash kanë bilanc prej një fitore e dy humbje. Adam Hanga ishte pranë të shënonte "triple-double", duke pasur 31 pikë, tetë kërcime e tetë asistime, shkruan sot “Koha Ditore”.
Në ndeshjen tjetër të Grupit C, Kroacia ka fituar përballjen e Ballkanit ndaj Malit të Zi me shifrat 76:72.
Hungaria është një prej kundërshtareve të Kosovës në kualifikimet për botërorin e vitit 2019. Kundërshtarë të tjerë të Kosovës janë Polonia dhe Lituania. Edhe këto dy përfaqësuese janë në Eurobasket, ndërsa Lituania vlerësohet prej favoriteve. Kosova me ndeshje kualifikuese nis prej muajit nëntor.