Klubi i hendbollit Prishtina ka pësuar humbje shumë të lartë të dielën nga AEK-u në Athinë. Në ndeshjen e kthimit të raundit të tretë të Kupës Evropiane, Prishtina humbi me rezultat 41:8. Në fakt ky rezultat rrallë arrihet në gara evropiane ku paraqiten skuadrat më të mira të vendeve.
Por AEK-u të dielën ishte superior dhe avancon në një të tetën e finales. Ndeshjen e parë, që u luajt të shtunën, AEK-u e fitoi me rezultatin 37:19. Edhe ndeshja e parë u luajt në Athinë.
Skuadra prishtinase nuk kishte gjasa të mëdha për ndeshjet me AEK-un, por është pritur rezistencë më e madhe se që bëri të dielën.
Hendbollistët e Prishtinës kishin realizim prej vetëm 17 për qind. Është kjo prej humbjeve më të larta të skuadrave kosovare në gara evropiane, nëse jo më e larta.
Të shtunën në raundin e tretë të Kupës Evropiane është eliminuar edhe Besa Famgas, që humbi nga Borci në Banjallukë.