Sport

Humbja nga Kosova, ende plagë e hapur për rumunët

Humbja nga Kosova është prej më të rëndave për Përfaqësuesen e Rumanisë në hendboll. Më 14 mars në Bukuresht, Kosova fitoi 30:25 ndaj Rumanisë. Për Kosovën është fitorja më e madhe, ndërsa një fitore tjetër synohet të mërkurën ndaj Malit të Zi për kualifikim në “Euro 2022”.

Rumania mburret me katër titujt e botës dhe katër medaljet olimpike në hendboll, por kohërat e arta tashmë janë shumë të largëta. Rumunët nuk kanë luajtur në Evropian që nga viti 1996 dhe kualifikimi në “Euro 2022” do të ishte befasi. Këtë e pranojnë edhe vetë rumunët.

Rumania të mërkurën luan ndaj Suedisë, ndërsa të dielën mbyll kualifikimet me ndeshjen ndaj Malit të Zi.

“Nëse kualifikohemi në këtë Evropian, atëherë do të jetë befasi. Po përballemi me situatë të vështirë”, ka thënë selektori i Rumanisë, Rares Fortuneanu. Ai ka folur për sajtin zyrtar të EHF-së.

Është barazimi me Kosovën në Prishtinë dhe humbja në Bukuresht, që kanë zbehur optimizmin te Rumania.

“Nëse do të më pyesnit pas dy ndeshjeve të para, do të thosha se jemi në rrugën e duhur. Por, pasuan ato dy ndeshje me Kosovën dhe më nuk jam i sigurt”, ka shtuar Fortuneanu.

Rumania kishte nisur kualifikimet me fitore të thellë 36:27, ndaj Malit të Zi. Më pas u mbajt mirë me Suedinë dhe humbi me tri gola dallim. Në Prishtinë rezultati ishte 23:23, ndërsa lojtarët e Kosovës arritën sukses të madh me fitoren në Bukuresht, ku ishin dominues.

Fortuneanu ka pranuar se humbja nga Kosova ishte e rëndë. Kishte bërë bujë në Rumani ajo ndeshje.

“Nuk do të flasim për ndeshjet me Kosovën, pasi është ende një plagë e hapur për ne. Dua të fokusohem në të ardhmen dhe në atë që na duhet për të avancuar në turneun final të Evropianit që mbahet në Hungari dhe Sllovaki”, ka theksuar selektori rumun.

Suedia është e para në grupin e tetë me gjashtë pikë nga tri ndeshje. Suedia në fillim të vitit doli nënkampione e botës dhe është favorite absolute për ta fituar grupin. Rumania është e dyta me tri pikë nga katër ndeshje. Bilanc të njëjtë ka edhe Kosova në vend të tretë. Ndërkohë, Mali i Zi është i fundit me dy pikë nga tri ndeshje.

Dy vendet e para në grup sigurojnë evropianin. Por, edhe katër prej tetë përfaqësueseve më të mira nga vendi i tretë kualifikohen.

Gjasat e Kosovës varen nga ndeshja e së mërkurës me Malin e Zi, që luhet prej orës 19:30 në Prishtinë. Të mërkurën është edhe ndeshja Rumania – Suedia.

Të premten Mali i Zi luan me Suedinë, ndërsa të dielën janë ndeshjet Mali i Zi – Rumania dhe Suedia – Kosova.

Kosova po vazhdon përgatitjet për ndeshjen me Malin e Zi. Por, është pa selektorin Bujar Qerimi, që debutoi në ndeshjen me Rumaninë në Prishtinë.

“Selektori Bujar Qerimi nuk ka mundur të udhëtojë nga Belgjika për dy ndeshjet e kësaj jave. Ai pas ndeshjes me Rumaninë doli pozitiv në testin për koronavirus. Ka qëndruar për një kohë i shtrirë në spital dhe tashmë ka marrë veten. Por, mjekët ia kanë ndaluar që të udhëtojë nga Belgjika në Kosovë për shkak të shëndetit. Në mungesë të selektorit, stërvitjet po i udhëheq trajneri i parë, Fatmir Muhaxheri. Me portierë po punon Veton Hajrizi. Selektori Qerimi është në koordinim të plotë me shtabin teknik dhe me lojtarët. Komunikimi përmes video-lidhjeve bëhet rregullisht”, ka njoftuar FHK-ja të hënën.

“Muhaxheri është prej emrave të respektuar të hendbollit kosovar. Ka udhëhequr Kombëtaren U21 në Botërorin e juniorëve. Tani, në koordinim me selektorin Qerimi, do ta udhëheqë Kombëtaren A në ndeshjen më të rëndësishme deri më tani”.

Përfaqësuesja e Kosovës të hënën ka bërë stërvitje e kompletuar. Malazezët të hënën kanë nisur grumbullimin dhe të martën udhëtojnë për në Kosovë.