Sport

Humbja e re nga Rahoveci nuk e largon Yllin nga synimet

Pas dështimit në turneun final të Kupës së Kosovës, Golden Eagle Ylli ka humbur edhe ndeshjen në shtëpi nga aktualisht rivali më i madh, Rahoveci. Te klubi suharekas e kishin vlerësuar punë të kryer triumfin në Kupën e Kosovës në basketboll. Por Ylli ishte mposhtur në finale nga Sigal Prishtina me rezultatin 82:76. Tani i gjithë fokusi i Golden Eagle Yllit është te triumfi në kampionat. Investimet e klubit në lojtarë e trajner vlerësohen goxha të mëdha, ndërkohë që skuadra është në pritje të trofeut të parë në basketbollin kosovar.

Ylli ishte në seri prej pesë fitoreve kampionale, por të dielën mbrëma gjërat nuk shkruan sipas planit. Ekipi i drejtuar nga trajneri turk Fatih Emre Gezer u mposht nga Rahoveci. “Vreshtarët” triumfuan me rezultatin 72:67 në kuadër të xhiros së 21-të të Superligës. Për Yllin kjo ishte humbja e dytë brenda një periudhe të shkurtër nga Rahoveci, ekip që triumfoi edhe në ndeshjen e xhiros së 14-të me shifrat 92:86, të luajtur në fillim të janarit.

Pas asaj disfate Ylli kishte shkuar në serinë prej pesë fitoreve rresht përpara se të ndalej sërish nga Rahoveci.

Me fitoren e fundit Rahoveci e ka rikthyer pozitën e parë në tabelë. Ka 34 pikë të tubuara pas 21 ndeshjeve të luajtura, një më shumë se Ylli që zë vendin e dytë dhe ka një ndeshje më pak të zhvilluar, të cilën do ta luajë të mërkurën në udhëtim kundër Pejës.

Përkundër humbjes së fundit, te Ylli insistojnë se janë brenda objektivave të klubit për këtë edicion. Drejtori sportiv, Agron Berisha, thotë se mungesat e lojtarëve ndikuan dukshëm në humbjen nga Rahoveci që i dha fund serisë pozitive të ekipit në kampionat. Amerikani Mitchell Wilbekin dhe Gëzim Morina nuk ishin në dispozicion të trajnerit Gezer për këtë ndeshje për shkak të lëndimeve. Sipas Berishës, Wilbekin pritet të kthehet këtë javë në parket derisa Morina do të kthehet së shpejti, për t’u kompletuar ekipi drejt synimeve që i ka. Ylli ka bërë investime të mëdha këtë edicion pasi krahas Morinës ka arritur ta kthejë edhe Erjon Kastratin, të dy reprezentues të Kosovës. Ndërsa ka marrë amerikanin Elyjah Clark që së bashku me Demetris Morantin dhe Wilbekinin përbëjnë treshen e lojtarëve të huaj te suharekasit.

“Wilbekin kthehet këtë javë nga lëndimi për të qenë i gatshëm për lojë, derisa Morinës i nevojitet vetëm edhe pak kohë që të rikuperohet plotësisht. Dhe me kthimin e këtyre dy lojtarëve të rëndësishëm për ekipin tonë besoj se do të kompletohemi për të vazhduar me paraqitje të mira këtë edicion”, është shprehur Berisha të hënën për KOHËN. “Këto dy lëndime si dhe pushimi paksa i gjatë, ndoshta kanë ndikuar në humbjen e fundit”.

Disfata nga Rahoveci ishte e shtata këtë edicion për skuadrën e Yllit që ka 13 fitore. Deri në fund të pjesës së rregullt të këtij sezoni kanë mbetur edhe shtatë xhiro. Gjashtë ekipet e para në tabelë do të vazhdojnë garat në plejof.

“Megjithatë, ne jemi brenda objektivave. Pra, jemi në luftë për kreun e tabelës dhe do të vazhdojmë rrugëtimin tonë për ta fituar titullin e kampionit që edhe mbetet synim. E kemi orarin e përshtatshëm deri në fund të pjesës së rregullt dhe presim që gjithçka të shkoj si është më së miri, pra sipas planeve tona”, shtoi Berisha.

Berisha tha se ky ekip do të mbetet deri në fund të sezonit, por mund të bëhet ndonjë ndërhyrje nëse kërkohet një gjë e tillë. Klubeve iu lejohet të bëjnë përforcime dhe ndryshime në lojtarë të huaj 72 orë para xhiros së 22-të që zhvillohet në vikend. Pra, klubet mund të bëjnë përforcime deri të enjten (4 mars).

“Njëherë për njëherë nuk ka nevojë të bëjmë ndonjë ndërhyrje në ekip, që kërkon trajneri atëherë mund të regjistrojmë ndonjë përforcim”, u shpreh Berisha. “Kemi ndërtuar një ekip të mirë dhe besojmë deri në fund që do të arrijmë objektivat tona”.

Ndërkohë, trajneri i Yllit, turku Gezer, beson në rikthim të skuadrës së tij. Ai pranoi se mungesat e Wilbekinit dhe Morinës ndikuan dukshëm në lojën e ekipit, por shtoi se pret që së shpejti ta ketë skuadrën e kompletuar. Pavarësisht humbjes, Gezer insistoi se Ylli ka synimet e njëjta që i kishte në fillim dhe shtoi se disfata nga Rahoveci nuk ka ndikuar në ndryshimin e objektivave.

“Kemi pasur mungesa të rëndësishme dhe po ashtu disa lojtarë të tjerë që luajtën ishin të lënduar, gjë që ndikoi dukshëm në lojën tonë. Mendoj se duke pasur këtë parasysh, kjo humbje është normale edhe pse e papranueshme. Megjithatë, ekipi do të vazhdojë të punojë për t’u kthyer fuqishëm dhe atë prej ndeshjes së ardhshme. Natyrisht ka ndikuar edhe pushimi i gjatë duke pasur parasysh se nuk luajtëm kundër Pejës. Sikur ta kishim luajtur këtë ndeshje, besoj se do të kishim një paraqitje dukshëm më të mirë”, insistoi Gezer, i cili shtoi se Wilbekin e Morina janë dy prej lojtarëve kyç të Yllit.

“Megjithatë, humbja nuk ka ndikuar aspak në objektivat tona dhe ekipi mbetet në synimet që ka. Kur të kompletohemi dhe të na kthehen edhe lojtarët e lënduar, gjë që do të ndodhë së shpejti, jam i bindur se do të jemi edhe më të fortë. Nuk jemi vetëm ne, por edhe ekipet e tjera kanë ngritje dhe ulje që është normale në basketboll. Besoj se ekipi do të reagojë menjëherë dhe jemi duke punuar në këtë aspekt”.