Lyoni pritet të mungojë në garat evropiane për herë të parë në 23 vitet e fundit, pasi edicioni 2019\2020 në Ligue 1 të Francës është anuluar për shkak të Covid – 19.
Presidenti i skuadrës së njohur franceze, Jean-Michel Aulas ka thënë se Lyonit i është rrëmbyer mundësia që të luajë për futbollin evropian. Sipas tij vendimi i Ligue 1 për të përfunduar edicionin herët dhe të caktojë renditjen në bazë të pikëve të fituara për ndeshje është i padrejtë.
Pasi kryeministri i Francës, Edouard Philippe tha se nuk do të ketë futboll deri në shtator, Liga Profesionale e Futbollit të Francës ka konfirmuar të enjten se edicioni është i përfunduar dhe se kampioni dhe vendet që dërgojnë në Evropë do të caktohen në bazë të pikëve të fituara për ndeshje.
PSG-ja u shpall kampion derisa Marseille dhe Rennesi morën dy vendet tjera që dërgojnë në Champions.
Lyoni përfundon në vend të shtatë, jashtë zonës që dërgon në Evropë dhe pritet të mungojë në garat kontinentale për herë të parë që nga viti 1997. Mënyra e vetme e kualifikimit për këtë skuadër është nëpërmjet Kupës së Ligës, nëse ajo zhvillohet dhe përmes edicionit aktual të Championsit.
Edhe
Lensi ia pamundëson Lyonit kualifikimin direkt në Championist
Klubi ka bërë të ditur se do të konsiderojë veprime ligjore ndaj Ligës lidhur me vendimin për të përfunduar kampionatin.
“Ne e kontestojmë vendimin në tri pika. Ndërprerja e kampionatit është vendosur nga LFP bazuar në informata që nuk janë dekretuar nga qeveria franceze, sidomos jo në përputhje me deklaratën e fundit të ministrisë së sportit për zhvillimin e ndeshjeve pa shikues dhe me praninë e më pak se 5000 personave. LFP ka vendosur shpejtë të ndërpres ligën. Ka mundur të luhet një plejof që do të ishte interesant për shumë transmetues televiziv. Nuk dua të sulmoj ndonjë klub, por Nice ka luajtur më shumë ndeshje se ne dhe është përballur me PSG-në vetëm një herë, ndërsa ne dy herë. Ky nuk është vendim pa pasoja, si te klubet amatore. Duhet të merren shumë gjëra në konsideratë. Na kanë rrëmbyer mundësinë që ishte me vlerë të madhe. Do të kemi dëme prej dhjetëra miliona euro”, ka thënë Aulas.