Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Hoti do të huazohet te Dunfermlini

Reprezentuesi i Përfaqësueses U21 të Kosovës, mesfushori Florent Hoti do të largohet nga Dundee Unitedi që bën gara në elitën e Skocisë.

Mediumet skoceze kanë njoftuar të martën se Hoti do të huazohet te Dunfermline Athletic, ekip që garon në një kategori më poshtë. 21-vjeçari do ta bëjë këtë lëvizje në mënyrë që të ketë hapësirë dhe minutazhë më të madhe deri në fund të këtij sezoni.

Ai te Dundee Unitedi deri më tani ka nëntë paraqitje në të gjitha garat kurse edicionin e shkuar ishte i huazuar te Forfar Athleticu. Ai iu bashkua Dundee Unitedit në vitin 2020 si lojtar i lirë kurse karrierë ka bërë te Rochalde në kategoritë e ulëta të futbollit anglez.

Hoti ka pesë paraqitje me Përfaqësuesen U21 të Kosovës për të cilën debutoi në qershor të vitit të shkuar.