Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Holyfieldi i gatshëm për një meç të tretë me Tysonin

Boksieri legjendar Evander Holyfield është i gatshëm të ngjitet në ring për një meç të tretë me Mike Tysonin.

“T’i japim njerëzve atë që duan”, ka qenë mesazhi i Holyfieldit.

Dy rivalët e peshës së rëndë janë në bisedime për rikthim në boks dhe të përballen sërish në ring 23 vjet pas asaj nate dramatike në Las Vegas. Shtatë muaj pasi Holyfield e kishte shtangur Tysonin, ata u përballën në meçin e dytë mes vete, që u bë i njohur si “Lufta e Kafshimit”.

Në raundin e tretë, Tysoni kafshoi një pjesë të veshit të Holyfieldit, duke u diskualifikuar dhe gjobitur me rreth 2.7 milionë euro.

Ndonëse është pensionuar 15 vjet më parë, Tyson 53-vjeçar është kthyer në palestër duke treguar ritëm dhe fuqi të jashtëzakonshme.

Duket se kjo ka inspiruar edhe Holyfieldin 57-vjeçar që t’i kthehet stërvitjeve. Ai ka shprehur gatishmëri për një duel me Tysonin ku të hyrat do të shkonin për bamirësi.

“Unë do të ndeshesha për herë të tretë me të! Po, unë dua të luftoj me Mike Tysonin”, ka thënë amerikanin Holyfield për “The Sun”. “Unë jam i hapur dhe definitivisht mund ta përballojë atë. Por, edhe Mike duhet të shpreh gatishmëri për këtë. Ne duhet të dalim me diçka që nuk është si një meç hakmarrje. Nuk ka të bëjë me atë se cili mund ta mposht cilin, por për t’i treguar njerëzve se ishim ndër boksierët më të mëdhenj të epokës sonë dhe jemi bërë bashkë si burra për të bërë diçka për të tjerët. Nuk kam asgjë personale kundër Miket, por mendoj se do të ishte mirë për sportin dhe ndonëse boksi është sport i vështirë, ne mund t’i dshmojmë njerëzve se mund të bëhemi bashkë. Nëse mund të bëjmë këtë meç do të ishte gjë e madhe”.

Holyfield është pensionuar nga boksi profesionist më 7 maj të vitit 2011. Ai gjatë karrierës kishte shënuar 44 fitore (29 KO), ndërsa pësoi dhjetë humbje e barazoi dy herë. Tysoni ndërkohë e mbylli karrierën në qershor të vitit 2005 me ndërprerje në raund të gjashtë nga irlandezi Kevin McBride. Ai ka shënuar 50 fitore (44 KO) dhe ka humbur gjashtë meçe.

“Mike po duket në formë, por unë jam në formë shumë të mirë dhe gjendje shumë të mirë fizike e mentale. Dhe nëse paraja është e duhur, atëherë ta bëjmë këtë. E di se ai po merr oferta të ndryshme. Por, pasi të dy kemi njoftuar për rikthimin, një meç mes meje dhe Miket, do të ishte definitivisht lufta që njerëzit do të donin”, ka thënë Holyfield.