Mbrojtësi i krahut, skocezi Aaron Hickey pritet të largohet nga skuadra e Bolognas në verë për ta vazhduar karrierën në Angli.
Sipas së përditshmes “Daily Mirror” të mërkurën, Hickey do të transferohet tek Arsenali, ekip që ka fituar garën për shërbimet e tij karshi Napolit, Milani e Newcastle Unitedit.
Thuhet se Bologna ka pranuar ofertën e Arsenalit prej 20 milionë eurosh për 19-vjeçarin, i cili ka treguar paraqitje të mira këtë sezon në Serie A.
Ai ka shënuar pesë gola dhe ka bërë një asistim në 34 ndeshje për Bolognan, ekip me të cilin ka kontratë deri në vitin 2024. Hickey iu bashkua Bolognas në vitin 2020 nga Heartsi për 1.7 milionë euro. Ai këtë vit ka debutuar edhe me Përfaqësuesen A të Skocisë, për të cilën ka dy paraqitje deri më tani.