Në verën e vitit 2019, hendbollistët e Kosovës U21 ishin paraqitur në Kampionatin Botëror për juniorë që ishte mbajtur në Spanjë. Kosova U21 humbi shumicën e ndeshjeve në Botëror, ndërsa kishte edhe një fitore e një barazim.
Ishte hera e parë që një përfaqësuese e Kosovës në sportet ekipore u paraqit në Botëror. Dhe ende mbetet hera e vetme.
Kosova U21 pjesëmarrjen në Botëror nuk e kishte siguruar përmes rrugës së zakonshme, kualifikimeve të rregullta. Ishte kualifikuar përmes një rruge alternative, përkatësisht përmes një mundësie të krijuar nga IHF-ja, Federata Ndërkombëtare e Hendbollit.
IHF-ja kishte rezervuar një biletë të Botërorit për fituesin e garës IHF Trophy. Kosova U21 e kishte fituar atë garë dhe ishte kualifikuar në Botëror. Fillimisht kishte fituar garën IHF Trophy për Evropë e më pas fazën interkontinentale të kësaj gare. Faza kontinentale ishte mbajtur në Prishtinë në vjeshtën e vitit 2018 dhe ajo interkontinentale, po ashtu në Prishtinë, në pranverën e vitit 2019.
Federatës së Hendbollit të Kosovës i është dhënë sërish e drejta e organizimit të garës IHF Trophy për zonën e Evropës. Në tetor, në Prishtinë, do të garojnë hendbollistët deri 18-vjet dhe ata deri në 20 vjet. Për dallim nga edicioni 2018/19, tani bileta për botëror mund të sigurohet në të dy grupmoshat.
Në FHK shpresojnë të përfitojnë nga fakti që gara për Evropë do të organizohet në Prishtinë.
“Kosova natyrisht e synon suksesin në IHF Trophy për Evropë. Fituesi i IHF Trophy për juniorët dhe për të rinjtë kualifikohet në fazën interkontinentale. Ndërkohë fituesi i fazës interkontinentale siguron biletën për në Botëror. Përmes kësaj gare Kosova U21 vite më parë luajti në Botërorin në Spanjë, duke shkruar histori”, ka shkruar FHK-ja.
Hendbollistë nga Andorra, Armenia, Azerbajxhani, Bullgaria, Britania e Madhe, Gjeorgjia, Irlanda, Moldavia, Malta e Shqipëria janë ftuar në IHF Trophy për Evropë.
Në vitin 2018, Kosova U21 kishte fituar ndaj Gjeorgjisë, Britanisë së Madhe, Irlandës dhe Maltës. Në fund barazoi me Moldavinë për ta fituar IHF Trophy për Evropë. Zonën evropiane e kishte fituar edhe Kosova U18, që në fazën interkontinentale kishte përfunduar e treta. Ndërkohë Kosova U21 e kishte fituar edhe fazën interkontinenale për të siguruar pjesëmarrjen në Botëror. Kishte fituar ndaj Taipeit Kinez, Nigerisë, Paraguait dhe sërish në finale ndaj Taipeit Kinez.