Bashkë me kryetrajnerin Fatmir Muhaxheri që kryente punën e tij me hendbollistët juniorë të Kosovës, edhe katër trajnerë të tjerë, përfshirë edhe përzgjedhësin e ekipit A, Taip Ramadani, të premten po kujdeseshin për t'ua dhënë dorën e fundit përgatitjeve tekniko-taktike ekipit U-21, që në fillim të javës së ardhshme do të marrë rrugën për në Spanjë për t'u paraqitur në Kampionatin Botëror.
Jo vetëm për ekipin e juniorëve të hendbollit, por për të gjitha ekipet e sporteve kolektive, kjo është hera e parë që një përfaqësuese nga Kosova do të luajë në Botëror, shkruan sot Koha Ditore.
Botërori i juniorëve në hendboll do të mbahet në Spanjë prej 16 deri më 28 korrik. Kosova është njëra prej 24 ekipeve pjesëmarrëse, kurse kualifikimin në Botëror e siguroi pas triumfit në turneun "IHF Trophy Intercontinental" në prill.
Atmosfera brenda ekipit ishte e mirë dhe të gjithë lojtarët me padurim po presin të luajnë në Botëror.
Kosova do të niset për në Spanjë të hënën në mëngjes, kurse deri atëherë do t'i zhvillojë edhe dy stërvitje në Prishtinë. Po bëhet gati një muaj prej se ekipi U-21 ka nisur fazën përgatitore, të cilën fillimisht e ka mbajtur në Banjë të Pejës, ku ka zhvilluar nga tri seanca në ditë përpara se të zhvendoset në Prishtinë. (Detaje të tjera mund të gjeni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)