Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Hendbollistet e Kosovës mposhten nga Polonia

Hendbollistet e Kosovës kanë pësuar disfatë në ndeshjen e parë të fazës së dytë kualifikuese për Kampionatin Botëror të këtij viti.

Në duelin e parë prej dy ballafaqimeve me polaket, Kosova të enjten mbrëma u mposht me rezultatin 36:22.

“Dardanet” e udhëhequra nga përzgjedhësi Agron Shabani, vetëm në fillim të pjesës së parë ishin konkurrente të denja për polaket.

Kosova kaloi e para në epërsi, por nuk e ruajti rezultatin.

Ndërkohë, Përfaqësuesja e Polonisë me përvojë, barazoi rezultatin fillimisht e më pas kaloi në epërsi të cilën nuk e lëshoi deri në fund të ndeshjes.

Pjesën e parë, Polonia e mbylli me 11-të pikë epërsi, 17:6.

Në pjesën e dytë, Kosova nuk e pati forcën që të bënte diçka më shumë nga kjo përballje, dhe humbi me 14 pikë epërsi.

Polonia në Botërorin e kaluar ishte renditur në vendin e 15-të, ndërsa në vitet 2013 dhe 2015, kishte zënë vendin e katërt.

Në Evropianin e vitit të shkuar, Polonia kishte përfunduar në vendin e 13-të.

Paraqitet rregullisht në ngjarje të mëdha.

Ndeshja u zhvillua në Bielsko-Bala në Poloni, ndërsa dueli kthyes do të luhet më 12 prill në Prishtinë.

Në fazën e parë kualifikuese të Botërorit, Kosova e kishte eliminuar Përfaqësuesen e Ishujve Faroe.

Kampionati Botëror i këtij viti do të mbahet në Danimarkë, Norvegji e Suedi, prej 29 nëntor deri më 17 dhjetor.

Në edicionin e 26-të të këtij turneu nga Evropa janë kualifikuar Franca, Mali i Zi dhe Holanda.

Nga këto kualifikime në Botëror do të kualifikohen edhe dhjetë përfaqësuese të tjera.

Artikuj të ngjashëm