Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Hendbolli, gati për spektaklin e Superkupës

Në kuadër të aktiviteteve shtetërore për shënimin e 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Federata e Hendbollit të Kosovës (FHK) ka vendosur që këtë datë të rëndësishme ta festojë me ndeshjet e Superkupës. Spektakli i Superkupës së Kosovës “Pavarësia 2023” në hendboll do të mbahet në Istog të enjten, një ditë para 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. E në palestrën e qytetit të Istogut do të zhvillohen dy ndeshje tejet interesante në të dyja konkurrencat. Ndeshja e parë do të jetë ajo në konkurrencën e meshkujve, ku do të përballen Besa Famgas dhe Kastrioti prej orës 15:30. Të dyja skuadrat kanë treguar formë të mirë në hapje të stinorit pranveror dhe synojnë trofeun e parë të këtij edicioni. Besa sezonin e shkuar fitoi titullin e kampionit dhe Kupën e Kosovës, ndërsa Kastrioti ishte në finale të Kupës.

“Na pret ndeshja finale kundër ekipit me përvojë dhe traditë, Kastrioti. Është një ekip që e njohim shumë mirë. Sa i përket ndeshjes për Superkupë, presim lojë të fortë dhe të luftuar deri në fund. Presim rezultat pozitiv dhe Superkupa të vijë në Pejë”, ka thënë Muqolli.

Optimizmi nuk mungon as tek hendbollistët e Kastriotit, pasi kapiteni Jeton Bislimi beson në paraqitje të mirë të ekipit të tij. Ai e ka parasysh se Besa ka ekip të mirë, por shton se Kastrioti është gati.

“Në këtë ndeshje presim të japim më të mirën e mundshme si ekip. Stinorin e kemi filluar mbarë, ndërsa fitorja e fundit na ka shtyrë që të punojmë edhe më shumë si ekip. Presim që ndeshja e Supekupës të jetë e mirë dhe që të dy skuadrat të angazhohen. Jemi të vetëdijshëm për ekipin e Besës, por ne si ekip do të mundohemi të bëjmë më të mirën në këtë takim”, ka thënë pivoti Bislimi.

Ndërkohë, ndeshja e dytë me të cilën mbyllet spektakli festiv i Superkupës është ajo mes Istogut dhe Ferizajt në konkurrencën e femrave. Kjo përballje luhet prej orës 18:00. Istogu llogarit në përkrahjen e madhe të shikuesve, ndërsa kërkon trofeun e parë të këtij sezoni. Istogu sezonin e shkuar doli kampion dhe fitues i Kupës së Kosovës, ndërsa Ferizaj ishte finalist i Kupës.

“Superkupa e Kosovës është trofe i ri të cilin synojmë ta shtojmë në koleksionin e Istogut. Jam e lumtur që Superkupa mbahet në shtëpinë tonë, në palestrën e Istogut. Shikuesve ju premtojmë se do të shohin një ndeshje të mirë hendbolli dhe se do të japim më të mirën. Prandaj nesër i mirëpresim të gjithë në Istog. Shpresoj që do të ketë shumë shikues”, ka thënë portierja e Istogut, Blerta Ahmetxhekaj.

Edhe Plejofi fillon edhe në hendboll Sporte të tjera 2 muaj më parë Plejofi fillon edhe në hendboll

Ferizaj e nisi stinorin vjeshtor në Superligë me fitore ndaj Prishtinës. Tani synon tjetër sukses dhe trofeun e parë të edicionit.

“Edhe pse jemi ekip jo plotësisht i kompletuar, me lojtare të reja dhe jo mjaftueshëm i përgatitur për shkak të palestrës, do të mundohemi të bëjmë lojë të mirë e kolektive. Po udhëtojmë të japim maksimumin si ekip dhe do të mundohemi ta sjellim Superkupën në qytetin e hendbollit”, ka thënë Shkurta Mehmeti.