Trepça e ka mposhtur Kastriotin e Ferizajt në derbin e xhiros së 16-të të Superligës së Kosovës në hendboll. Të dielën në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, vendasit fituan me shifrat 36:30. Dallimi është bërë në pjesën e dytë, ndërkohë që e para përfundoi 18:18.
Pivoti Sali Maxhera udhëhoqi Trepçën duke realizuar 11 gola. Te Kastrioti u dallua qendra Arben Dugolli me 9 gola.
Trepça ka kaluar në vend të tretë me 13 pikë, ndërsa Kastrioti ka rënë në vend të katërt me 12 pikë.
Edhe dy ndeshje tjera të së dielës u vendosën në pjesën e dytë. Vushtrria fitoi ndaj Drenicës me 36:31 kurse Llapi në Gjilan e mposhti Zhegrën me shifrat 31:29.
Të shtunën Besa Famgas fitoi thellë ndaj Vëllaznimit (35:13), kurse Prishtina fitoi ndaj Prizrenit (46:25). Besa Famgas prinë në tabelë me 22 pikë kurse Prishtina është e dyta me 20 pikë.
Te hendbollistet u luajt java e nëntë. Skuadrat favorite, Istogu, Vushtrria e Prishtina kanë shënuar fitore bindëse.