Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës në hendboll, Bujar Qerimi ka publikuar listën e lojtarëve për dy ndeshjet me Bosnjë e Hercegovinën, ka njoftuar të martën Federata e Hendbollit të Kosovës (FHK). Në muajin mars, Kosova do të përballet dy herë me Bosnjë e Hercegovinën në kuadër të kualifikimeve për Euro 2024.
Ndeshja e parë luhet më 8 mars në Prishtinë, ndërsa e dyta pas 14 ditësh në Tuzlla. Këto ndeshje i takojnë grupit të 7 të kualifikimeve për Evropianin e vitit të ardhshëm dhe synojnë fitore pasi i kanë humbur ndeshjet e para. Kosova nis grumbullimin më 5 mars në Prishtinë, ndërsa selektori Qerimi ka ftuar 19 lojtarë.
Në listën e tij, ka lojtarë të kthyer por edhe emra të rinj. Janë kthyer kapiteni Valon Dedaj, Bujar Ramosaj e Shaban Zogaj, ndërsa emrat e rinj janë Ardin Berisha e Elvir Muqa.

Mali i Zi dhe Sllovenia udhëheqin në grup me nga katër pikë të mbledhura.