Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Hendboll, Prishtina fiton ndeshjen e ndërprerë

Ndeshja e ndërprerë për shkak të lëndimit të rëndë të dy lojtarëve të Trepçës, ka vazhduar të hënën në palestrën “Minatori” në Mitrovicë.

Sfida e xhiros së 18-të të Superligës së Kosovës në hendboll (meshkujt) në mes të Trepçës dhe Prishtinës është fituar nga skuadra mysafire me rezultatin bindës, 31:21. Ky takim kishte nisur të shtunën por ishte ndërprerë në minutën e 11-të kur Vaglir Buqinca e Alban Shabani pësuan lëndime serioze pas një përplasje mes tyre. Të dy ishin dërguar menjëherë në spital, ndërsa është raportuar se gjendja e tyre është përmirësuar. Dy lojtarët mitrovicas të hënën janë liruar nga spitali.

Ndeshja vazhdoi prej minutës së 11-të, me rezultatin 5:2 në të mirë të Prishtinës. Prishtina nuk ka lejuar befasi dhe ka arritur te fitorja.

Me këtë ndeshje ka përfunduar stinori i rregullt në Superligën e Kosovës në hendboll, ka njoftuar FHK-ja. Besa Famgas ka fituar të gjitha 18 ndeshjet e stinorit të rregullt dhe po marshon drejt titullit të ri.

Besa, Prishtina, Trepça, Kastrioti, Vëllaznimi e Vushtrria tani do të luajnë edhe dhjetë xhiro në Superligën A për të përcaktuar kampionin.

Prizreni, Drenica, Llapi e Drita do të luajnë gjashtë xhiro në Superligën B, për të shmangur rënien nga elita. Drita është thuajse pa gjasa – ka humbur të gjitha 18 ndeshjet e deritashme.

Artikuj të ngjashëm