Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Hendboll, ndeshjet e para pa shikues me rezultate të pritura

Nuk ka pasur befasi në ndeshjet e hendbollit të luajtura të enjten. Ishin këto ndeshjet e para në sportin kosovar të luajtura pa praninë e shikuesve, në bazë të vendimit të Qeverisë së Kosovës për të luftuar përhapjen e koronavirusit.

Dy ndeshje janë luajtur në Gjakovë e një tjetër në Ferizaj, raporton Koha.net.

Hendbollistët e Trepçës kanë dominuar plotësisht ndaj atyre të Vëllaznimit, duke fituar me shifrat 31:25 ndeshjen çerekfinale të Kupës së Kosovës.

Trepça herët nisi shkëputjen në rezultat dhe arriti te fitorja bindëse. Epërsia e saj shkoj deri në dhjetë gola. F. Klinaku me 11 gola dhe S. Maxhera me tetë gola udhëhoqën Trepçën. Te Vëllaznimi më efikasi ishte A. Halili me shtatë gola.

Si mysafire në Gjakovë fitoj edhe Prishtina (femrat). Prishtina e mposhti Vëllaznimin me rezultat 36:22. Ndërkohë Kastrioti fitoj në Ferizaj ndaj Shqiponjës së Gjakovës me shifrat 24:22. Edhe këto dy ndeshje i takuan çerekfinales së Kupës së Kosovës.

Në fundjavë ndeshje tjera do të luhen pa shikues. Masa e ndalimit të shikuesve vlen për të gjitha sportet.