Hendbollistet e Istogut kanë udhëtuar për në Michalovce të Sllovakisë ku në fundjavë i kanë dy ndeshje shumë të vështira. Në kuadër të raundit të tretë të Kupës Evropiane, kampioni i Kosovës në hendboll luan me skuadrën e madhe sllovake, IUVENTA Michalovce.
IUVENTA vlerësohet skuadër cilësore dhe favorite e madhe. Fakti se dy ndeshjet janë në Michalovce vetëm sa favorizon skuadrën sllovake. IUVENTA vjet arriti deri në gjysmëfinale të Kupës Evropiane, që është niveli i tretë i garave evropiane për klube.
Ndeshja e parë është të shtunën prej orës 17:30, ndërsa e dyta të dielën prej orës 11:30.
KHF Istogu ka shkruar se është detyruar të luajë dy ndeshjet në Sllovaki për faktin se palestra në Istog është jofunksionale.
Istogu është skuadra e vetme kosovare që paraqitet në raundin e tretë të Kupës Evropiane. Besa Famgas dhe Trepça te hendbollistët, si dhe Ferizaj te hendbollistet janë ndalur në raundin e dytë.
Istogu në raundin e dytë të Kupës Evropiane kishte eliminuar skuadrën portugeze 1MAIO.