Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Istogu mposhtet thellë në ndeshjen e parë

Hendbollistet e Istogut kanë bërë pak rezistencë në ndeshjen e parë me skuadrën sllovake, IUVENTA Michalovce. Të shtunën mbrëma në Michalovce të Sllovakisë, IUVENTA fitoi me rezultat bindës, 43:18.

Ishte ndeshja e parë e raundit të tretë të Kupës Evropiane. Ndeshja e dytë, që pritet të jetë formalitet, zhvillohet të dielën prej orës 11:30 po ashtu në Michalovce.

Istogu ka vendosur që dy ndeshjet t’i luajë në Sllovaki me arsyetimin se palestra në Istog është jashtë funksionit. Palestra në Istog është hapur disa vjet më parë, por asnjëherë nuk ka pasur gjendjen e duhur.

IUVENTA është prej skuadrave më të mira në Sllovaki. Vitin e kaluar arriti deri në gjysmëfinale të Kupës Evropiane, që është niveli i tretë i garave kontinentale.

Dajana Milaniq ishte e vetmja që u shqua tek Istogu. Ajo shënoi shtatë gola nga tetë tentime.

Istogu është skuadra e vetme kosovare që arriti në raundin e tretë. E kishte eliminuar një skuadër portugeze. Besa Famgas dhe Trepça te hendbollistët si dhe Ferizaj te hendbollistet janë eliminuar në raundin e dytë.

Artikuj të ngjashëm