Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Hendboll, Istogu fiton derbin e femrave

Hendbollistet e Istogut kanë dalë fituese përballë atyre të Prishtinës, në ndeshjen derbi të javës së 13-të të Superligës së Kosovës.

Istogu të dielën në Klinë e mposhti Prishtinën me tre gola dallim, 23:20. Të dielën fitoren e parë në Superligë e arriti edhe Samadrexha që mposhti Vëllaznimin me rezultatin 25:19, shkruan sot “Koha Ditore”.

Dy ndeshje të tjera të kampionatit të femrave në hendboll u zhvilluan të shtunën. Liderja Vushtrria përballë Kastriotit fitoi me rezultatin 28:23, kurse Drita pësoi disfatë në shtëpi nga Shqiponja me rezultatin 35:18. Vushtrria prin me 23 pikë, dy më shumë se Istogu që është në vendin e dytë. E treta është Shqiponja me 20 pikë, ndërsa e katërta Prishtina me 18.

Ndërkohë në Superligën e meshkujve, kampionia në fuqi, Besa FamGas, që njëherësh është edhe lidere e klasifikimit, mposhti thellë Dritën me rezultatin 41:14.

Të gjitha ndeshjet e meshkujve u zhvilluan të shtunën. Prishtina, që gjithashtu është në garë për ta fituar titullin e kampionit këtë edicion së bashku me Besën, mposhti Samadrexhën me rezultatin 42:20. Besa e Prishtina kanë pikë të barabarta, nga 34.

Kastrioti mposhti Vushtrrinë në udhëtim me shifrat 29:22 dhe është ngritur në pozitën e tretë. Fitore në udhëtim ka shënuar edhe Zhegra që mposhti Llapin (37:30) si dhe Vëllaznimi që fitoi ndaj Trepçës me rezultat 33:27.

Artikuj të ngjashëm