Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Hendboll, dy derbi në xhiron e fundit

Të premten (nesër) nis xhiroja e fundit e stinorit të rregullt në Superligën e Kosovës në hendboll në konkurrencë të meshkujve.

Ndeshja e parë luhet në mes të Vushtrrisë dhe Prizrenit (20:00), kurse ndeshjet tjera të javës së 18-të janë të shtunën. Në xhiron e 18-të luhen dy derbi, ka njoftuar FHK-ja.

Në Mitrovicë takohen Trepça e Prishtina, ndërsa në Ferizaj luajnë Kastrioti e Besa Famgas. Të dy këto ndeshje janë të shtunën nga ora 19:00. Besa prinë në tabelë me 34 pikë dhe po marshon sigurt drejt titullit. Prishtina është e dyta me 30 pikë, ndërsa Trepça e treta me 26 pikë. Katërshen e madhe e kompleton Kastrioti me 22 pikë.

Te Trepça janë mobilizuar në tentim për të befasuar Prishtinën. Ndërkohë gjasat që të ndalet seria e fitoreve të Besës në Ferizaj nuk llogariten shumë të mëdha, për shkak të fondit jo shumë të madh të lojtarëve të Kastriotit.

Të shtunën janë edhe ndeshjet Vëllaznimi – Drenica (17:30) dhe Drita – Llapi (19:30).

Pas xhiros së 18-të skuadrat ndahen në Superligën A dhe Superligën B. Në Superligën A gjashtë skuadrat e para në tabelë luftojnë për titull të kampionit. Ndërkohë katër skuadrat e fundit luajnë në Superligën B në garën për të evituar pozitën e fundit. Në fakt gjasat që Drita t’i ikën pozitës së fundit janë minimale. Drita i ka humbur të gjitha 17 ndeshjet e këtij edicioni.

Artikuj të ngjashëm