Barça ka fituar bindshëm në finale për t’u konfirmuar skuadra më e suksesshme në Ligën e Kampionëve në hendboll (meshkujt).
Të dielën në Koeln të Gjermanisë, Barça fitoi ndaj Aalborgut danez me rezultatin e lartë, 36:23. Është fitorja më e thellë në finale deri më tani.
Për Barçën ishte fitorja e 20-të këtë edicion në Champions nga po aq ndeshje të luajtura.
Barça ka luajtur për herë të 13-të në finale, ndërsa ka fituar nëntë tituj. Është skuadra më e suksesshme evropiane. Skuadra katalunase që në pjesën e parë të ndeshjes u shkëput në rezultat dhe arriti te fitorja bindëse.
Aalborgu për herë të parë u paraqit në finale dhe ishte inferior. Aleix Gomez Abello ishte më efikasi te Barça me 9 gola. Lukas Sandell shënoi 8 gola për Aalborgun.