Skuadra gjermane, Magdeburg, ka arritur sukses të madh të dielën. Magdeburgu ka fituar Ligën e Kampionëve në hendboll. Në finalen skajshmërisht dramatike, Magdeburgu e mposhti Kielcen e Polonisë me rezultat 30:29. Ndeshja është vendosur pas vazhdimeve, pasi koha e rregullt përfundoi 26:26.
Për Magdeburgun është titulli i katërt evropian. Garën elitare kontinentale e kishte fituar në vitin 2002 së fundi e po ashtu në vitet 1981 e 1978.
Kielce ndërkohë është mposhtur për herë të dytë rresht në finale. Mbetet me trofeun e fituar në vitin 2016.
Skuadra gjermane nisi mirë ndeshjen, por më pas Kielce kaloi para. Pjesën e parë e fitoi 15:13. Polakët ishin në epërsi deri në minutën e 53-të, kur rezultati u barazua 22:22. Më pas u luajt ndeshje e barabartë dhe pas 60 minutave lojë shifrat ishin 26:26. Në vazhdime gjermanët ishin më të qetë, ndërsa ndeshja ishte e hapur deri në aksionin e fundit.
Holandezi Kay Smits shënoi tetë gola nga 14 tentime. Nga gjashtë gola për Magdeburgun i kishin Gisli Kristjansson dhe Michael Damgard. Kielces nuk i kryen punë 15 pritjet e Andreas Wolff. Alex Dujshebaev i shënoi tetë gola.
“Një luftë e pabesueshme. Një ëndërr e realizuar. Nuk di si t’i përshkruaj emocionet e mia. Është e pabesueshme”, ka thënë Smits. Ai është holandezi i parë që fiton Championsin.
Edhe
Magdeburgu e fiton Ligën e Kampionëve në hendboll
Finalja është luajtur në praninë e 20 mijë shikuesve në Koeln të Gjermanisë.
Për vend të tretë, Barcelona fitoi ndaj Paris Saint-Germainit me rezultat 37:31.