Sport

Hegerberg synon ta “arrijë” Messin duke e fituar Botërorin

Ajo është përshkruar shpesh si Lionel Messi i futbollit të femrave për shkak të arritjeve dhe aftësisë së shënimit të golave. Tani Ada Hegerberg po kërkon të arrijë atë që argjentinasi më në fund e arriti disa muaj më parë - të fitojë një Kupë Bote për të kompletuar një karrierë të veçantë ndërkombëtare.

Gjithsej tri gola në tre turne të mëdhenj ndërkombëtar për Norvegjinë nuk janë matës i drejtë për njërën prej golashënuesve më të mira në historinë e futbollit.

“Kam një mundësi të mirë për të bërë diçka më shumë me Norvegjinë dhe do të bëjë të pamundurën për ta fituar Botërorin, mision ky që nuk do të jetë aspak i lehtë”, pranoi Ada.

Hegerberg ka shënuar më shumë gola në Ligën e Kampionëve se çdo lojtare tjetër. Ka 59 deri më tani. Championsi është niveli më i lartë i garave në futbollin e femrave në nivel klubesh. Ajo u bë rekordmene në moshën 24-vjeçare.

Me Lyonin është gjashtë herë fituese e Ligës së Kampionëve, tetë herë fituese e ligës franceze dhe gjashtë herë fituese e Kupës së Francës. Hegerberg ka mesatare të shënimit prej më shumë se një goli për ndeshje për Lyonin, ekipi më i dekoruar i futbollit evropian. Po ashtu norvegjezja ishte fituesja e parë e “Topit të Artë” në vitin 2018 në një ceremoni të mbajtur në Paris.

Kur bëhet fjalë për nivelin e përfaqësueseve, Hegerberg nuk ka me çka të krenohet, pasi dollapi i saj është i zbrazët. Suksesi më i madh që arriti me Norvegjinë ishte në turneun e saj të parë ndërkombëtar për seniore - Kampionatin Evropian në vitin 2013 - kur Norvegjia humbi në finale nga Gjermania. Që atëherë ka qenë një histori mjaft e dhimbshme për një lojtare që për shumë njerëz e ka tejkaluar përfaqësuesen e saj. Ajo nuk ka luajtur kurrë në Lojërat Olimpike, ndërsa paraqitja e vetme në Botëror ishte në vitin 2015 kur Norvegjia doli në 1/8 e finales. Norvegjia pati një eliminim në fazën e grupeve në Kampionatin Evropian të vitit të kaluar.

Hegerberg do të kishte luajtur në më shumë turne të mëdhenj nëse nuk do të kishte vendosur të përjashtonte veten nga përzgjedhja për përfaqësuese për pesë vjet, për shkak të asaj që ajo e perceptonte si një shpërfillje e përgjithshme për futbollin e femrave në Norvegji. Thelbi i zhgënjimit të saj ishte ritmi i pabarabartë i përparimit dhe strategjisë në lojën e femrave. Ajo mungoi deri në vitin 2022, kur zgjodhi të kthehej përpara Kampionatit Evropian, që përkoi me ardhjen e Lise Klaveness, ish-bashkëlojtare e saj te Stabaeku, si presidente e federatës së futbollit norvegjez.

“Kam qenë në gjendje të bëja diskutime shumë të sinqerta me federatën, natyrisht përmes Lises. Jam shumë e lumtur që kam vendosur të rikthehem dhe tani të filloj një histori të re”, ka pranuar 27-vjeçarja.

Një vit më vonë Hegerberg ende po përpiqet të kompensojë kohën e humbur me fanellën e Norvegjisë. Ajo u bashkua me përfaqësuese pas një edicioni zhgënjyes që e pati me Lyonin. Hegerberg, e cila kaloi 21 muaj jashtë fushës për shkak të dëmtimit të ligamentit të gjurit, mungoi për shtatë muaj të tjerë edicionin e shkuar si pasojë e një lëndimi tjetër. Hegerberg e mbylli edicionin me gjashtë gola në nëntë ndeshje të luajtura në të gjitha garat.

Shënimi i golave nuk është kurrë një problem për norvegjezen, edhe në nivel ndërkombëtar. Ajo ka 43 gola në 76 ndeshje qëkur bëri debutimin për Norvegjinë në vitin 2011, në moshën 16-vjeçare. Krahas efikasitetit në fushë, Ada është shumë aktive edhe jashtë saj. Vetëm pak muaj më parë u shfaq në një video të organizatës për të drejtat e njeriut “Amnesty International”, duke kërkuar kompensim për familjet e punëtorëve emigrantë që vdiqën ndërsa punonin në Kupën e Botës në Katar.

Hegerbergut megjithatë i mungojnë trofetë me Norvegjinë. Norvegjia ka fituar katër tituj të mëdhenj, por asnjë që nga Lojërat Olimpike të vitit 2000. Që kjo të ndryshojë nuk mund të varet vetëm nga Hegerberg pasi edhe bashkëlojtaret e saj duhet ta ndihmojnë. Njëra prej tyre është Caroline Graham Hansen, mesfushore e Barcelonës, e cila ka 44 gola në 98 ndeshje për Norvegjinë dhe mori një pushim të shkurtër nga përfaqësuesja pas Kampionatit Evropian të vitit të kaluar për t’u rikthyer për Botëror.

“Jemi më të bashkuara se kurrë dhe jam e bindur se do të luajmë për njëra-tjetrën”, tha ajo.

Norvegjia është në grup me Zvicrën, Filipinet dhe Zelandën e Re. Botërori do të mbahet në Australi dhe Zelandë të Re nga 20 korriku deri më 20 gusht. Ndërsa pritet të arrijnë në fazën e eliminimit, norvegjezet nuk janë ndër favoritet për të fituar turneun.

Hegerberg mund të ketë diçka për të thënë më shumë këtë herë: “Jam plotësisht e gatshme për një sukses të madh. Shpresoj të bëjmë paraqitje të mira”.