Loreta Kullashi ka qenë vendimtare në fitoren e Sassuolos në elitën e futbollit të Italisë. Sulmuesja 24-vjeçare shënoi “hat-trick” dhe asistoi në një tjetër gol, në fitoren 4:0 të Sassuolos në udhëtim te Sampdoria të dielën.
Ky ballafaqim i takoi xhiros së nëntë të Serie A për futbolliste. Kullashi shënoi për 1:0 në minutën e 17-të, ndërsa asistoi në golin për 2:0 në minutën e 42-të. Me të filluar pjesa e dytë realizoi për 3:0, kurse tregolëshin e kompletoi në minutën e 55-të.
U zëvendësua në minutën e 77-të. Kullashi tani ka tri gola të realizuar e dy asistime. Ajo është futbolliste e Rosengardit suedez, por është huazuar në Itali përkohësisht. Në nivel përfaqësuesesh luan për Përfaqësuesen e Suedisë. Sassuolo ka tetë pikë në nëntë ndeshje.