Atletja e Holandës, Sifan Hassan, ka thënë se duhet ta falënderojë kafeinën për medaljen e parë të artë në Lojërat Olimpike të Tokios, që e fitoi të hënën në vrapimin 5.000 metra.
Hassan po synon suksesin e trefishtë historik në Tokio, pasi ëndrra e saj është ta fitojë medaljen e artë edhe në 1.500 metra dhe 10.000 metra vrapim.
Hassan 28-vjeçare, e lindur në Etiopi, ishte fantastike në xhiron e fundit, për ta përfunduar garën e 5.000 metrave me kohë prej 14 minutave e 36.79 sekondave. Mirëpo duket se asaj iu nevojit një asistencë e vogël për ta bartur përtej vijës së finishit.
“Pa kafe unë kurrë nuk do të isha bërë kampione olimpike”, ka zbuluar Hassan.
Orari i ngjeshur i Hassanit do të thotë se ajo do të duhet të vrapojë në gjashtë gara brenda tetë ditëve.
Edhe
Sifan Hassan kaloi shumë sfida për të artën olimpike në maratonë
Të hënën, 11 orë para se ta fitonte medaljen e artë në 5.000 metra, Hassan vrapoi në 1.500 metra dhe fitoi në baterinë e saj për t’u kualifikuar në gjysmëfinale të kësaj distance.
Në fakt, fitorja e Hassanit ishte e pabesueshme pasi në xhiron e fundit u rrëzua. Mirëpo ajo jo vetëm që u ngrit për ta vazhduar garën, por edhe e fitoi baterinë.
“Nuk mund të besoj, sepse rrëzimi ishte i tmerrshëm. Kur u rrëzova isha e detyruar të ngrihesha menjëherë dhe ta shpenzoja të gjithë energjinë që e kisha në trup. Nuk i ndieja këmbët, por në fund ia dola ta fitoja baterinë”, pranoi Hassan.
“Isha shumë e lodhur pas atij triumfi të pabesueshëm. Dhe kisha nevojë për pushim dhe shumë kafeinë, që të isha e gatshme për vrapimin në 5.000 metra. Pa kafe nuk do t’ia dilja”.
Kampionia e dyfishtë botërore, Hellen Obiri nga Kenia doli e dyta (14:38.36) dhe fitoi të argjendtën, ndërsa Gudaf Tsegay nga Etiopia (14:38.87) u pajtua me medaljen e bronztë në 5.000 metra. Hassan tani ka pak më tepër kohë për t’u rikuperuar për garën e saj të ardhshme – gjysmëfinalen në 1.500 metra – që do të mbahet të mërkurën.
Hassan në vitin 2019 në Kampionatin Botëror të mbajtur në Doha të Katarit fitoi medaljen e artë në 1.500 dhe 10.000 metra, ndërsa të bronztën në 5.000 metra.
Në Tokio, Hassan po tenton t’i pushtojë këto distanca dhe pas medaljes së artë në 5.000 metra, i ka mbetur të fitojë në 1.500 dhe 10.000 metra. Asnjë atlet nuk ka tentuar një gjë të tillë në Lojërat Olimpike, por Hassan mbetet optimiste e madhe.
“Ia kam dhënë vetes një premtim dhe dua ta përmbushi. Jam e gatshme edhe për garat e tjera, kurse medalja e artë në 5.000 metra, vetëm më ka motivuar edhe më shumë”, ka pranuar Hassan.
Edhe
E pabesueshme, Sifan Hassan fiton të artën në maratonë
Edhe kundërshtaret e Hassanit në 5.000 metra pranuan se e shohin holandezen favorite në 1.500 metra e 10.000 metra. Madje, ato kanë shtuar se nuk do të habiten aspak nëse e shohin në podium dhe me tri medalje të arta pas paraqitjeve që i pati të hënën.
“Të kthehet në garë pas 11 orëve dhe ta fitoj medaljen e artë, është diçka e jashtëzakonshme. Ajo është një kampione e vërtetë, pasi nuk është aspak lehtë të vraposh në dy gara në të njëjtën ditë dhe të dyja t’i fitosh”, ka thënë Hellen Obiri nga Kenia.