Maqedonia e Veriut ka barazuar 3:3 me Estoninë, të dielën në Grupin 2 të Ligës C të Ligës së Kombeve të UEFA-s. Ferhan Hasani e Ezgjan Alioski kanë startuar te Maqedonia e Veriut, përzgjedhësi i të cilës ka pushuar shumicën e lojtarëve që filluan ndaj Kosovës. Hasani luajti një pjesë për t’ia lënë vendin Enis Bardhit në pjesën e dytë. Arijan Ademi, Visar Musliu e Egzon Bejtullai nuk udhëtuan.
Maqedonia e Veriut prinë në grup me pesë pikë. Gjeorgjia është e dyta po ashtu me pesë pikë, ndërsa pasojnë Armenia me katër pikë dhe Estonia me një pikë. Të gjitha përfaqësueset i kanë luajtur nga tri ndeshje.
“Natyrisht se jam i dëshpëruar. Me kualitetin që kemi është dashur të fitojmë, por uroj Estoninë për ndeshjen. Jemi kthyer nga 3:1 te 3:3, kemi pasur raste për të fituar, por kjo ndodhi vetëm në fund të ndeshjes”, ka thënë selektori i Maqedonisë së Veriut, Igor Angelovski. “Ata që luajtën shumë ndaj Kosovës, janë aktivizuar si zëvendësues. Ideja ishte t’u ipet rasti lojtarëve tjerë që të pushohen ata që kanë shpenzuar shumë energji në ndeshjen ndaj Kosovës. Ndeshja ishte shumë e rëndësishme në secilin aspekt. Disa e kanë shfrytëzuar rastin e disa duhet të presin për tjetër mundësi. Jam i kënaqur me paraqitjen në 30 minutat e fundit, kur shmangëm humbjen. Nuk jam i kënaqur me rezultatin, është dashur të fitojmë këtu. Jemi të parët sërish, por vështirësohet rruga për vendin e parë. Do të japim më të mirën për vendin e parë në grup”, ka theksuar Angelovski.