Tariq Abdul Haqq u përlot gjatë ceremonisë së medaljeve në Lojërat e Komonuellthit dhe u largua nga boksi pasi luftoi me dy kampionë të botës.
Si i fundit që i solli medalje të argjendtë vendit Trinibdad dhe Tobagos në boks, Haqq duhej të ishte i adhuruar në shtetin në Karaibe. Por, futja në ekstremizmin fetar ia njollosi karrierën e tij në boks. Haqq shkoi në Siri për të luftuar krah Shtetit Islamik katër vjet më vonë dhe vdiq në vitin 2015.
Trinidad dhe Tobago ka zbuluar një boksier tjetër pretendent të peshës super të rëndë te Nigel Paul, që pritet të garojë në Lojërat Olimpike në Tokio, por vështirë se mund ta arrijë suksesin e Haqqit, ish-kundërshtarit të super-yllit të tashëm të boksit Anthony Joshua, shkruan “Sky Sports”.
“Të përballej në ring me Anthony Joshuan dhe të tregonte meç shumë të mirë. Unë mendoj se në rast se Tariqu do të vazhdonte, ai do të arrinte një nivel shumë të mirë në vitet e ardhshme”, rikujton Reynold Cox, trajner i Haqqit te përfaqësuesja.
Si një boksier amator i shquar, Haqq i kishte dhuruar vendit të tij shumë suksese. Bëri betejë të fortë me Anthony Joshuan në Kampionatin Botëror të 2011-s. Vetëm disa muaj më herët, ai kishte mposhtur zelandezin Joseph Parker, që më vonë u bë kampion bote në boks profesionist.
Edhe
Prenga gati për meçin e karrierës me Joshuan
Talenti i Haqqit për sportet luftarake mund të gjurmohet qysh në vitet e tij të hershme, kur nga gazetat lokale ishte vlerësuar si “gladiator”, pasi kishte garuar në karate, jiu-jitsu, taekwondo dhe boks, ndërsa kishte studiuar edhe për t’u bërë jurist.
“Kur nuk jam në shkollë apo stërvitje, thjesht më pëlqen të ha apo fle”, kishte thënë Haqq, shkruan “The Trinidad and Tobago Newsday”. “Kjo mund të tingëllojë çuditshëm për dikë të moshës sime, por shokët e mi janë shumë përkrahës në atë që unë bëj. Unë po ashtu besoj se secili ka vendime të caktuara për të marrë dhe unë zgjedh për t’i bërë këto gjëra tash”.
Halla e Haqqit ishte prokurore, por babai i tij Yaqubi ishte trajner i boksit, ndërsa edukimi u la anash për të kanalizuar agresivitetin që kishte vetëm në sport. Me gjatësi 185 centimetra, ai nuk ishte një boksier shumë i madh në shtat, ndonëse kampionati nacional kishte rënë në sy me fitore impresive, përfshirë një me nokaut pas 45 sekondave ndaj një kundërshtari nga Porto Riko.
Në debutimin e tij në nivelin senior në vitin 2009, Haqq mori një mësim të rëndë nga Erislandy Savon, kubani i shquar i cili e mposhti me ndërprerje në raundin e dytë. Savon ishte shumë pranë ta eliminonte herët Anthony Joshuan nga Lojërat Olimpike të vitit 2012 në Londër.
Por, i palëkundur, Haqq siguroi vendin në përfaqësuesen e Trinidad dhe Tobagos për Lojërat e Komonuelthit në vitin 2010 në Delhi. Ai tejkaloi pritjet.
Haqq në meçin e parë dominoi me 10:1 një kundërshtar nga Pakistani. Kundërshtari i radhës ishte Josesph Parker, një boksier i talentuar nga Zelanda e Re, që më vonë gjatë karrierës do ta fitonte titullin e botës në peshën e rëndë në boksin profesionist, në versionin WBO.
“Isha atje në atë luftë”, ka thënë Cox, që po drejtonte karrierën amatore të Haqqit. “Ishte vërtet një luftë e mirë për ne dhe mendoj se Tariqu e fitoi atë shkaku i vendosmërisë. Ai vazhdonte të sulmonte. Parker ndoshta ishte i vendosur të fitonte meçin me grushtin e fuqishëm, por Haqq tentonte të mblidhte pikë dhe ishte shumë i mirë në mbrojtje. Ishte meç shumë i mirë”.
Grushtet e sakta të Haqqit u preferuan prej 3 nga gjithsej 5 anëtarët e jurisë dhe ai fitoi ngushtë përballjen me Parkerin.
Edhe
Prenga premton fitore me nokaut ndaj Joshuas
Një fitore ndaj olimpistit nga Kameruni, Blaise Yepmou do të dërgonte Haqqin në finale. Në finale ai u përball me boksierin vendas Paramjeet Samota. Mirëpo, Samota fitoi finalen me 5:1. Haqq prapë po qante me medaljen e argjendtë rreth qafës gjatë ceremonisë së ndarjes së medaljeve. Ndoshta më tepër për shkak të frustrimit sesa krenarisë.
Meçi i tij i fundit i madh do të ishte kundër Joshuas. Haqq luftoi me Joshuan në raundin e parë të Botërorit 2011. Haqq, i penguar nga një lëndim i hundës, prapë qëndroi i fortë.
“Ai ishte kundërshtar i vështirë dhe nëse shikoni Joshua ishte fillestar në atë kohë, pasi hyri vonë në boks”, thotë kryetrajneri Britanisë, Paul Walmsley për atë meç në Botërorin në Azerbajxhan. “Nuk ishte meçi më i lehtë i mundshëm për ta nisur Botërorin”.
Me vetëm pak dallime në pikë mes boksierëve në dy raundet e para, Joshua rriti ritmin dhe e ndali Haqqin në raundin e tretë dhe të fundit. Karriera e Haqqit në boks gati sa kishte mbaruar.
Në rikthimin e tij në Trinidad dhe Tobago, Haqq u përfshi në një mosmarrëveshje lidhur me financimin dhe hoqi dorë nga kualifikohet për Lojërat Olimpike “Londra 2012”.
“Unë ndiej sikur boksi nuk ka fare kuptim në Trinidad dhe se nuk i intereson ndokujt”, kishte thënë Haqq për “The Trinidad Guardian”.
I dekurajuar se si po vlerësohej sporti në vendin e tij, Haqq u largua nga skena dhe u paraqit vetëm vite më vonë, në artikuj dhe dokumentarë për rekrutët e Shtetit Islamik.
Juergen Todenhoefer, gazetari i parë perëndimor të cilit iu lejua qasja për territoret e kontrolluara nga ISIS-i në Siri dhe Irak, kishte treguar për takimin e tij me Haqqin, që kishte ardhur në dhjetor të vitit 2014.
“Ne pamë njerëz nga e gjithë bota, Suedia, Franca dhe SHBA-ja”, ka thënë Todenhoefer në dokumentarin e tij “Brenda IS-it”. “Ishte një djalë nga Karaibet. Shumë i pashëm. Sharmant. Me stil dhe syze dielli Ray-Ban. Dhe unë e pyeta: ‘Çfarë je duke bërë këtu? Çfarë ke bërë më herët?’ Ai më tha: ‘Do të bëj çdo gjë që më kërkon kalifati”.
Haqq ishte në mesin e numrit alarmues të lartë të meshkujve që kishin udhëtuar nga Trinidad dhe Tobago, për t’iu bashkuar Shtetit Islamik (ISIS).
Atij i ishin bashkuar bashkëshortja dhe motra e tij Aliya, që kishte zbuluar se si vdekja e babait aksidentalisht në të shtëna me armë kishte qenë katalizator që e shtyu Tariqun të futet në ekstremizëm fetar.
“Vëllai im erdhi në shtëpi një ditë dhe më tha se po shkon në Siri”, kishte thënë Aliya për “Trinidad and Tobago Newsday”.
Prenga thotë se do ta shokojë botën me fitore kundër Joshuas
Simon Cottee e “Trinidad and Tobago Newsday” kishte konfirmuar për “Sky Sports” se Haqq ka humbur jetën në vitin 2015, porse disa muaj më herët kishte marrë lëndime të rënda gjatë bombardimeve në Siri, duke humbur njërën dorë, burimin e talentit të tij më të madh.
Emri i Haqqit ende përmendet në Trinidad dhe Tobago, kryesisht për sukseset e tij sportive. Trajneri Cox është optimist se Nigel Paul, që u eliminua herët nga Lojërat Olimpike “Rio 2016”, mund të ngjitet shpejt në podium të medaljeve në ndonjë turne.
“Boksit i duhen djem të mirë dhe modele për të shtyrë më tepër njerëz në sport”, ka thënë Paul, 30-vjeçar.