Lewis Hamilton dhe Mercedes fituan garën e Çmimit të Madh të Gjermanisë në Formula 1, zhvilluar në pistën e Hockenheim, duke bërë një paraqitje fantastike.
Piloti britanik e nisi garën nga vendi i 14-të, por ia doli që ta mbyllë i pari garën në një prej momenteve më të “nxehtë” të kampionatit ku gara me rivalin Vettel sa vjen e bëhet më e fortë.
Por përtej aftësive të tij dhe strategjisë së ndjekur nga ekipi i tij, pilotët e Mercedes u ndihmuan nga ato pak pika shiu që ranë gjatë garës, transmeton tch.
25 xhiro nga fundit nis shiu edhe pse pjesërisht në pistë, duke bërë që disa nga pilotët të përdorin gomat e ndërmjetme ose gomat e shiut. Kjo e bën mjaft interesante fundin e garës, pasi pilotët e parë janë në harkun kohor të 20 sekondave, me Hamilton që ka gomat “ultrasoft”, ndërsa pilotët para tij gomat “soft”.
Pista e lagur në disa vende bën që pilotët shpesh të gabojnë në pistë, si Raikkonen, që humbet vendin e dytë, ndërkohë që në krye qëndron Vettel. Por ky i fundit nuk arriti të mbante nën kontroll makinën e tij duke dalë nga pista në një prej kthesave.
Në podium u ngjitën edhe Valtteri Bottas me makinën Mercedes dhe Kimi Raikkonen me Ferrari. Për Hamilton ky është suksesi i katërt në garën e Gjermanisë, duke parakaluar në renditjen e përgjithshme Vettel me 17 pikë.