Vozitësi i Mercedesit, Lewis Hamilton, e mbylli javën me shumë probleme me paraqitje të shkëlqyer dhe e fitoi Grand-Prixin e Brazilit.
Të dielën, Hamilton ishte i jashtëzakonshëm në garën e Formula 1 dhe vazhdon luftën e madhe për titull me ngasësin e Red Bullit, Max Verstappen.
Hamiltoni, shtatë herë kampioni i botës, e mposhti Verstappenin pavarësisht se e nisi garën nga vendi i 10-të për shkak të dënimit të dytë që Hamilton e pësoi këtë vikend në Sao Paulo.
Verstappen, fituesi i edicionit të kaluar në vitin 2019, përfundoi i dyti dhe tani epërsia e pikëve që e ka ndaj Hamiltonit të vendit të dytë në renditje, tkurret në 14 pikë. Deri në fund të kampionatit kanë mbetur edhe tri gara për t’u zhvilluar. Fituesi i një gare fiton 25 pikë.
Ngasësi tjetër i ekipit të Hamiltonit, Valtteri Bottas, përfundoi i treti, kurse Sergio Perez i Red Bullit e përfundoi garën i katërti.