Jetmir Halitit i skadon kontrata në fund të këtij viti, por ai e dëshiron qëndrimin te skuadra e AIK-ut suedez, që bën gara në elitën e futbollit të Suedisë.
E ardhmja e qendërmbrojtësit 27-vjeçar ende nuk dihet, por Haliti dëshiron të vazhdojë me ekipin me të cilin është paraqitur në 21 ndeshje të edicionit aktual. Ai ka kontribuuar edhe me dy asistime.
“Natyrisht, jam i hapur për të qëndruar te kjo skuadër, sepse ndihem mirë. Të shohim pasi të përfundojë sezoni. Përfaqësuesit e mi janë në bisedime me drejtorin sportiv të skuadrës. Por, momentalisht jam i fokusuar në ndeshjet e fundit, edhe pse kemi pasur disa bisedime”, ka thënë Haliti.
AIK-u e transferoi Halitin në vitin 2021 nga Jonkoping Sodra. Edicionin e kaluar ishte i huazuar te Mjallby AIF.