Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Hajrullahu flet për KOHËN për shkëlqimin përballë legjendës së NFL-së, Tom Brady

Lirim Hajrullahu realizoi dy tentimet që i pati nga distanca. Ishin tentimet e para në karrierë në elitën e futbollit amerikan, NFL.

Dy tentimet nga largësia të Hajrullahut, apo “field-goals”, patën vlerën e gjashtë pikëve. Që të dyja pra ishin të sakta. Ishin pikët e vetme për skuadrën Carolina Panthers, që të dielën u mposht thellë nga skuadra Tampa Bay Buccaneers, 32:6.

Te Buccaneers luan legjenda e futbollit amerikan, më i miri i historisë, Tom Brady. Brady është prej emrave më të mëdhenj të sportit. Është ikonë e NFL-së me tituj të shumtë të fituar. Për 20 edicione ishte pjesë e New England Patriots dhe ishte njeriu kryesor në NFL nga viti 2001 deri në vitin 2019.

Hajrullahu arriti që golin e parë në karrierë në “Ligën Nacionale të Futbollit” ta shënojë të dielën, duke realizuar nga distanca, prej rreth 21 metra, në mes të çerekut të parë. Ishin edhe pikët e avantazhit për skuadrën e tij.

Ai po ashtu realizoi gol nga 26 metra në fillim të çerekut të dytë.

Edhe Hajrullahu debuton me fitore në NFL Sport Hajrullahu debuton me fitore në NFL

“Këtë ndeshje nuk do ta harrojë asnjëherë”, ka thënë Hajrullahu të martën për KOHËN, ndërsa Tom Bradyn e ka krahasuar me Messin e Ronaldon.

“Loja kundër Tom Bradyt ka qenë sikur një ëndërr. Kur kam dalë në të njëjtën fushë me të emocionet kanë qenë të përziera. Kur e di se çfarë legjende është Tom Brady është sikur të luash me Messin apo Ronaldon futboll, pra të jesh në të njëjtën fushë me ta. Në fillim isha i habitur, por e kuptova që jam në realitet, e dija që ishte e vërtetë. Më ka ardhur shumë mirë dhe këtë ndeshje natyrisht që do ta kujtoj tërë jetën”, ka theksuar Hajrullahu, 31-vjeçar.

Hajrullahu ka punuar shumë që të vijë deri te kjo ditë. Thotë se vetëm puna e madhe e ka sjellë ku është sot. Ka qenë pjesë e ligës kanadeze të futbollit amerikan, CFL, për gjashtë stinorë. Ishte dy herë në ekipin e yjeve. Më pas bëri hapa të mëdhenj.

U transferua te Los Angeles Rams fillimisht, ndërsa për Panthers nënshkroi kontratë të martën e kaluar, pasi veterani Zane Gonzalez u lëndua.

Hajrullahu ishte pjesë e Dallas Cowboys në nëntor dhe pati paraqitje mjaft të mira.

Edhe Pjaniq: Ronaldo është më i miri Sport Pjaniq: Ronaldo është më i miri

“Field-goals” të realizuar të dielën, ishin të parët në karrierën e tij në NFL.

“Kam punuar dhe kam ushtruar shumë për të arritur deri te ky moment. Jam ndier shumë mirë që e kam pasur shansin të luajë ndaj një lojtari legjendë, siç është Tom Brady. Ky është lojtari më i mirë në historinë e futbollit amerikan dhe të jem në të njëjtën fushë me të, ka qenë një moment shumë i bukur dhe një moment që do ta mbaj në mend gjithmonë në jetë”, thotë tutje sportisti shqiptar.

Buccaneers është kampion i “Super Bowl” për vitin 2021 dhe Hajrullahu nuk e mohon faktin që kjo skuadër është superfuqi aktualisht. Normalisht me Bradyn në skuadër është dukshëm më e mirë.

“Qëllimi dhe dëshira ishte që ne ta fitonim tërë lojën dhe sidomos kundër Tom Bradyt do të ishte shumë e veçantë fitorja. Por, ai është legjendë dhe e ka ekipin shumë të fortë. Ne e kemi ekipin pak më të ri dhe vetëm sa e kemi marrë trajnerin e ri. Ka vetëm një vjet që është këtu. Ka qenë e vështirë të bënim diçka më shumë. Por, sa i përket punës sime gjatë tërë këtyre viteve, unë jam shumë i kënaqur me arritjen. Në fund të fundit kam pasur dëshirë ta fitojmë gjithë ndeshjen”, përfundoi Hajrullahu.

Edhe Brady pensionohet për herën e dytë Sport Brady pensionohet për herën e dytë

Hajrullahu i pozitës “kicker” u lind në Kosovë dhe familja e tij u largua drejt Kanadasë kur ai ishte nëntëvjeçar, pasi forcat serbe sulmuan Gjilanin.

Futboll amerikan kishte nisur të luante në gjimnaz dhe ka pasur karrierë të ndritur universitare.