Mbrojtësi Albian Hajdari ka asistuar të enjten mbrëma në disfatën e thellë të Luganos në udhëtim te Bodo/Glimti, me rezultatin 5:2.
Ndeshja i ka takuar xhiros së parafundit të Grupit D të Ligës së Konferencës. Hajdari asistoi në golin për 3:1, në minutën e 69-të.
Për 20-vjeçarin ishte asistimi i tretë i edicionit aktual në 20 paraqitje në të gjitha garat. Ai luajti deri në minutën e 84-t.
Qendërmbrojtësi i Kosovës, Kreshnik Hajrizi, mesfushori Uran Bislimi dhe portieri Amir Shaipi, e kompletuan ndeshjen, ndërsa nga minuta e 63-të luajti edhe Shkëlqim Vladi.
Lugano pas pesë ndeshjeve ka katër pikë, pa gjasa për ta kaluar grupin. I fundit është Beshiktashi me një pikë. Tutje kanë kaluar Club Brugge dhe Bodo/Glimt.