Mbrojtësi i ri i Kosovës, Florent Hadërgjonaj, ka thënë se mezi pret që të paraqitet me fanellën e Kosovës në ndeshjet ndaj Malit të Zi e Bullgarisë.
Hadërgjonaj ka ardhur më herët në Kosovë duke thënë se dëshiron të integrohet më lehtë.
“Me padurim po e pres të filloj stërvitjet me bashkëlojtarët e mi të rinj dhe pa dyshim që kur vjen momenti për t’u paraqitur në ndeshjen e parë do të jetë një ditë e veçantë jo vetëm për mua, por për të gjithë familjen time. Këtu është vendlindja e prindërve të mi dhe unë kam qenë në Kosovë sa herë që më është dhënë mundësia, por tash do të jetë një ndjenjë krejt ndryshe ngase do ta përfaqësojë vendin e origjinës time”, është shprehur Hadërgjonaj në një takim me kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.
Ademi i ka dhuruar Hadërgjonajt fanellën e Kosovës. Në hyrje të selisë së FFK-së, Hadërgjonaj u prit nga një grup i Dardanëve.
“Jemi të lumtur që e keni zgjedhur Kosovën, tani kur veçse është krijuar një grup jashtëzakonisht i mirë i futbollistëve dhe një atmosferë e shkëlqyeshme në ekipin kombëtar. Ne jemi bërë storie e suksesit jo vetëm tek populli ynë, por edhe në UEFA e FIFA, prandaj sigurisht se do të përjetosh ndjenja të veçanta me këtë fanellë. Janë pikërisht lojërat dhe rezultatet e Kombëtares ato që i kanë dhënë adrenalinë popullit. Ne si FFK jemi duke e përmbushur misionin tonë, pasi po e prezantojmë në mënyrën më të mirë vendin tonë kudo që po paraqitemi dhe për këtë merita kanë të gjithë bashkëlojtarët tuaj”, ka thënë Ademi.
Kosova, duelet e radhës në Eliminatoret për Evropian do t’i zhvillojë në udhëtim te Mali i Zi fillimisht më 7 qershor, dhe tri ditë më pas, udhëton në Bullgari.