Florent Hadërgjonaj ka ndërruar skuadër. Ai ka mbetur në Superligën e Turqisë, por te skuadër më e vogël. Mbrojtësi i krahut deri më tani ishte te Kasimpasha. Të hënën është prezantuar tek Alanyaspori. Në edicionin e kaluar Kasimpasha përfundoi e dhjeta, ndërsa Alanyaspori përfundoi në pozitën e 15-të të elitës turke.
Për Kasimpashan, 29-vjeçari luajti 112 ndeshje. Shënoi shtatë gola, ndërsa i kishte edhe gjashtë asistime. Në Superligën turke i ka 107 ndeshje. Ai ishte te Kasimpasha prej janarit të vitit 2020. Ka luajtur edhe për Huddersfield Town në Angli, Ingolstadtin në Gjermani dhe Young Boysin në Zvicër. Si futbollist është zhvilluar në Zvicër. Ka luajtur për të rinjtë e Zvicrës, ndërsa prej vitit 2019 është te Kosova. Deri më tani i ka 27 ndeshje e një gol.
Tek Alanyaspori ditë më parë u transferua edhe Fidan Aliti, mbrojtësi tjetër i Kosovës. Kjo skuadër prej vitit 2016 luan në Superligën turke. Në vitin 2020 u paraqit në finale të Kupës, që është suksesi më i madh.
“Florenti na ka shkaktuar vështirësi deri ka luajtur për Kasimpashan. Shpresoj se do të jetë po aq i suksesshëm duke luajtur për ne. Është futbollist që e vlerësojmë për personalitetin dhe karakterin”, ka thënë presidenti i Alanyasporit, Hasan Çavushoglu.
Vetë Hadërgjonaj pret të jetë i suksesshëm tek Alanyaspori. Ka thënë se tashmë po ndihet shumë rehat në skuadrën e re.
Edhe
Hadërgjonaj pritet të kalojë te një skuadër tjetër turke
“Të gjithë më kanë pritur shumë mirë. E kam përcjellë Alanyasporin. Mendoj se stafi është i mirë dhe do të kemi rezultate të mira. Kam ardhur të jem i suksesshëm. Duhet të bëjmë tifozët të lumtur. Ky do të jetë synimi ynë”, ka thënë Hadërgjonaj.
Turqia ka qenë destinacion për shumë lojtarë shqiptarë gjatë kësaj vere. Të tjera lëvizje drejt elitës turke mund të realizohen së shpejti.