Sport

Haalandi në dyshim për Dortmundin që luan me Leipzigun

Erling Haalandi është sërish në dyshim për të luajtur me Dortmundin për shkak të lëndimit, para duelit që “verdhezinjtë” e luajnë në shtëpi kundër Leipzigut.

Pikët e plota të ndeshjes, e cila i takon xhiros së 28-të të Bundesligës gjermane e që luhet të shtunën në orën 18:30, më shumë i duhen Dortmundit, për të qëndruar në luftën për titull kampioni.

Shkallët e stadiumit pritet të jenë të mbushura plot pas dy vjetësh, për shkak të lirimit të masave të koronavirusit. Kur kanë mbetur edhe shtatë ndeshje deri në përfundim të kampionatit, vendi i dytë, Dortmundi, duhet ta ndalë serinë e gjashtë ndeshjeve pa humbje të Leipzigut.

Dortmundi në vendin e dytë ka 57 pikë, gjashtë më pak se Bayern Munichu lider.

Haalandi është në dyshim për të luajtur kundër Leipzigut, pasi pësoi lëndim në nyjën e këmbës në fitoren 9:0 të Norvegjisë kundër Armenisë në miqësore, ku Haalandi realizoi dy herë.

Ai ka shënuar dy herë në tri ndeshjet e fundit për Dortmundin kundër vendit të katërt, Leipzigut. Fitorja e fundit ishte në muajin maj të vitit të kaluar 4:1, në finale të Kupës së Gjermanisë.

Për herë të parë qëkur pandemia goditi Evropën, Dortmundi pret t’i ketë të pranishëm 81 mijë tifozë në “Signal Iduna Park”.

Bayerni ndërkohë nuk pritet të ketë punë të lehtë të shtunën kur luan në udhëtim te Freiburgu në orën 15:30.

Robert Lewandowski është në dyshim për të luajtur pasi u lëndua në brinjë të martën, në fitoren e Polonisë kundër Suedisë. Me atë fitore, Lewandowski me Poloninë siguruan kualifikimin në Botëror. Sulmuesi polak ka 27 gola të shënuar këtë edicion, dhe mund të bëhet golashënuesi më i mirë i ligës për sezonin e pestë rresht.

Trajneri i Bayern Munichut, Julian Nagelsmann, nuk pritet ta ketë në skuadër Joshua Kimmichun dhe Eric Maxim Choupo-Motingun.

Megjithatë, pritet rikthimi i Leon Goretzkas, për herën e parë që prej muajit dhjetor. I gatshëm për lojë është edhe Niklas Sule.

Njësoj si Leipzigu, edhe Freiburgu synon ta arrijë top-katërshen, vend që dërgon në Ligën e Kampionëve sezonin tjetër.