Sulmuesi Erling Haaland pritet së shpejti të firmosë kontratë të re me skuadrën e Manchester Cityt, raporton “The Athletic” të mërkurën. Bëhet e ditur se krerët e Cityt kanë bërë gati ofertën për norvegjezin, pasi klauzola e lirimit në kontratën aktuale është larguar.
Kontrata aktuale i skadon Haalandit në vitin 2027, ndërsa me kontratën e re, ai do të jetë pjesë e Cityt deri në vitin 2029. Po ashtu 22-vjeçari do të ketë pagë dukshëm më të madhe, pasi po shihet si e ardhmja e klubit anglez.
Haaland para fillimit të këtij sezoni iu bashkua Cityt nga Borussia Dortmundi dhe ka shpërthyer në sezonin e tij të parë me fanellën e kampionit të Anglisë. Në 40 ndeshje të luajtura deri më tani në të gjitha garat, Haaland ka shënuar 47 gola dhe ka bërë 6 asistime.