Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Haalandi i kënaqur te City, por nuk e përjashton lëvizjen

Erling Haaland e di se fjala e tij ka ndikim. Por nuk heziton të flasë. Sulmuesi u përball me pyetje të martën për të ardhmen e tij te Manchester City dhe spekulimet për një kalim te Real Madridi.

“Nëse e them këtë tani ndoshta do të jetë gjë e bujshme. Ju asnjëherë nuk e dini çka sjell e ardhmja, por unë jam i lumtur. Ju mund të shkruani këtë, por ju duhet të shkruani çdo gjë që e kam thënë më parë”, ka thënë Haaland.

Haaland paraprakisht foli në superlativ për Manchester Cityn, për tre trofetë historikë të edicionit të kaluar dhe për garën e këtij edicioni për të përsëritur atë sukses.

“Jam vërtet i lumtur. Sidomos me njerëzit që më rrethojnë, trajnerin, drejtorët, bordin. Janë një grup i njerëzve të shkëlqyer dhe jam vërtetë i lumtur”, ka thënë norvegjezi.

Thashëthemet për të ardhmen e Haalandit do të vazhdojnë, ndonëse Real Madridi është fare pranë sigurimit të Kylian Mbappes.

Edhe Haalandi mund ta kalojë Ronaldon, thotë Guardiola Futboll Haalandi mund ta kalojë Ronaldon, thotë Guardiola

Madridi ishte rivali i madh i Cityt kur Haalandi u largua nga Dortmundi në verën e vitit 2022. Një kalim në Madrid është përmendur prej atëherë.

“Fokusi im është në fushë. Ka shumë ndeshje. Dy ditë më parë ishte derbi i Manchesterit, tani është Liga e Kampionëve, të dielën Liverpooli. Mendoj se duhet të fokusohem në këtë. Nuk duhet të fokusohem në asgjë tjetër për momentin”, ka vazhduar Haaland.

Haalandi shënoi 52 gola në edicionin e parë te City duke ndihmuar skuadrën të fitoi Premier Leaguen, Ligën e Kampionëve dhe Kupën FA. Por prapë nuk fitoi çmimet kryesore individuale, të cilat i takuan Lionel Messit.

A duhet Messi të pensionohet para se Haaland të shpallet lojtari më i mirë në botë?

“Nuk e di, pyetje e mirë. Ai vërtetë fitoi Topin e Artë dhe fitoi Kupën e Botës, kështu që nuk e di çka të them. Mendoj që është më i miri që ka luajtur ndonjëherë. Kështu që nuk e di”, ka thënë norvegjezi.

Haaland foli në konferencë në prag të ndeshjes me Copenhagenin. Por foli më së paku për këtë ndeshje. City e ka fituar 3:1 ndeshjen e parë në Danimarkë, më 13 shkurt. Dhe është favorit i madh për të avancuar në çerekfinale të Championsit. Ndeshja e kthimit me Copenhagenin është të mërkurën prej orës 21:00 në “Etihad”.

Më shumë rivalitet pritet të ketë në ndeshjen tjetër të së mërkurës mbrëma që i takon një të tetës së finales në Champions. Real Madridi e pret RB Leipzigun. Madrilenët fituan 1:0 në Leipzig, më 13 shkurt.

Edhe Haalandi synon ta mbyllë edicionin me trofe Futboll Haalandi synon ta mbyllë edicionin me trofe

“Nesër mbrëma duhet të shfaqim versionin më të mirë. Sfida nuk ka përfunduar. Deri më tani kemi pasur një kampanjë të mirë, por ka ende rrugë. Mendoj se jemi të përgatitur dhe do të përmirësohemi nga ndeshja e parë. Leipzigu është ekip shumë i rrezikshëm në tranzicion”, ka thënë trajneri i Realit, Carlo Ancelotti.

Si City ashtu edhe Reali janë në garë për titull të kampionit në ligat e tyre. Por janë prej favoritëve edhe për triumf në Champions.