Manchester City ende nuk e ka shëruar plagën që i shkaktoi një eliminim tjetër i dhimbshëm nga Liga e Kampionëve, por duke e fituar garën për transferimin e Erling Haalandit, ekipi anglez e ka vendosur veten si një destinacion i preferuar për talentin kryesor të Evropës.
Fenomeni 21-vjeçar kishte bërë zgjedhjen e tij për klubet më të mira të kontinentit falë një klauzole për blerje prej 60 milionë eurosh, që do t’ia mundësonte të largohej nga Borussia Dortmundi shumë më poshtë vlerës së tij në treg. Real Madridi dëshironte të bashkonte norvegjezin me Kylian Mbappen në “Santiago Bernabeu” sezonin e ardhshëm, Barcelona e kërkoi atë si pasardhës të Lionel Messit, ndërsa Bayern Muencheni përsëri synonte të sulmonte rivalët e tij në Bundesligë.
Megjithatë, Haalandi do të rreshtohet me fanellën e Cityt sezonin e ardhshëm, ashtu siç bëri babai i tij Alf-Inge midis viteve 2000-2003 gjatë një epoke shumë të ndryshme për klubin. Ardhja e pronarëve nga Abu Dhabi ka transformuar prej kohësh fatin e Cityt, me lojtarët e trajnerit Pep Guardiolas që tani janë në prag të titullit të katërt të Premier Leagues në pesë sezone. Mirëpo Haaland është njeriu që te City duhet të mbushë një boshllëk nëse duan të arrijnë nivelin tjetër – Ligën e Kampionëve. Ai është një sulmues me statusin e superyllit.
City ka luajtur pjesën më të madhe të dy sezoneve pa një sulmues tipik, i cili në botën e futbollit njihet si numri nëntë. Një përpjekje për të vendosur Harry Kanen si pasardhësin e Sergio Agueros dështoi verën e kaluar dhe mund t'i ketë kushtuar Cityt me një goditje tjetër drejt lavdisë të Ligës së Kampionëve. Pavarësisht se e mposhti Real Madridin 4:2 në ndeshjen e parë të gjysmëfinales, skuadrës së Guardiolas i mungoi diçka për t’u konfirmuar si fuqi edhe në Evropë.
Kjo u rikthye për t'i përndjekur javën e kaluar, pasi Reali bëri një rikthim sensacional për të shënuar dy herë në minutat e fundit të ndeshjes së dytë dhe arriti të kualifikohet në finale ku do të përballet me Liverpoolin, sfiduesin më të afërt të Cityt për titullin e kampionit në Premier League. Megjithatë, Haaland ka shënuar 23 gola në vetëm 19 paraqitje në Champions për Salzburgun dhe Dortmundin.
Ajo që mbetet për t'u parë është se sa mirë ai mund të përfshihet në sistemin e trajnerit Guardiola. Titujt e ligës të fituar me Samuel Eto'on në Barcelonë, Robert Lewandowskin në kohën e kaluar te Bayern dhe Agueron në vitet e tij të hershme te City, konfirmojnë nocionin se futbolli i Guardiolas nuk mund të akomodojë numrin nëntë. Por historia e fundit e suksesit të Cityt nën drejtimin e trajnerit katalonjas ka qenë një histori e shkëlqyer kolektive.
Riyad Mahrez është golashënuesi më i mirë i Cityt me 24 gola të shënuar në të gjitha garat këtë sezon, përpara Raheem Sterlingut (16), Kevin De Bruynet (15) dhe Phil Fodenit (14). Jo të gjitha transferimet e superyjeve kanë shkuar siç ishte planifikuar për Guardiolan në të kaluarën. Transferimi i Haalandit te City, ka nxitur krahasime me sezonin e pafat të Zlatan Ibrahimoviqit në Barcelonë në edicionin 2009/10. Dhe, Jack Grealish, pavarësisht se i kushtoi Cityt 100 milionë funte për ta bërë atë lojtarin më të shtrenjtë në historinë e futbollit anglez, ka kaluar pjesën më të madhe të këtij sezoni në stol.
Por duke marrë një nga sulmuesit më të talentuar dhe më të kërkuar të Evropës, City po shikon gjithashtu drejt një të ardhmeje përtej Guardiolas, kontrata aktuale e të cilit skadon në verën e vitit 2023. Tani, Guardiola dhe Haaland do të kenë të paktën një sezon së bashku në një përpjekje për të kënaqur dëshirën e dëshpëruar të Cityt për trofeun e parë të Ligës së Kampionëve. Suksesin më të madh në këtë garë, City e pati sezonin e shkuar kur arriti në finale, por që u mposht nga skuadra e Chelseat (1:0).