Sulmuesi i Manchester Cityt, Erling Haaland ka pranuar se do të kishte dëshirë të luante në Kampionatin Botëror “Katari 2022” që nis të dielën.
Megjithatë, ai do të jetë i detyruar ta shikojë turneun nga televizori për shkak se Përfaqësuesja e Norvegjisë nuk arriti të kualifikohet për këtë ngjarje.
Po ashtu, pushimin e Kupës së Botës, Haalandi do ta shfrytëzojë për të pushuar dhe për t’u përgatitur sa më mirë për pjesën e dytë të këtij sezoni.
Ai në fillim të këtij edicioni iu bashkua Manchester Cityt dhe ka shpërthyer me fanellën e ekipit anglez, duke shënuar 23 gola në 18 paraqitje në të gjitha garat.
“Do të doja të luaja në këtë Botëror, natyrisht. Por, realiteti është se nuk mund ta bëjë një gjë të tillë dhe më vjen keq. Mirëpo, unë do ta relaksoj trupin tim dhe mendjen shumë dhe pastaj do të stërvitem për t’u përgatitur sa më mirë për pjesën tjetër të sezonit”, ka thënë Haaland, i cili ka folur edhe për favoritët e Botërorit. “Brazili, Argjentina, Franca dhe Anglia janë në mesin e favoritëve edhe pse ka shumë ekipe tjera të mira”.