Pep Guardiola e ka përgëzuar futbollistin Phil Foden dhe e ka vlerësuar atë si lojtarin më të jashtëzakonshëm për moshën që e ka. Ai ka thënë se Foden mund të shkojë në një tjetër nivel, nëse mëson që t’i marrë gjërat me qetësi.
Mesfushori Foden ka shënuar pesë gola dhe ka dhuruar katër asistime në 17 paraqitje për Cityn këtë sezon.
20-vjeçari anglez e shënoi golin e tij të tretë me Cityn në mënyrë të shkëlqyer dhe asistoi për Aymeric Laporten në fitoren 4:1 në Carabao Cup. Ishte ndeshje e çerekfinales në këtë garë kundër Arsenalit, që u zhvillua të martën.
Fodeni e gjeti rrugën e golit tetë herë dhe asistoi në nëntë të tjerë në edicionin e fundit.
“Lojtarët e rinj kanë energji shumë të madhe, por në momentin vendimtar, pasimin final, duhet të qetësohen. Energjia për një djalosh të asaj moshe është se dëshiron të fitojë kundër gjithë botës dhe të jetë i rëndësishëm. Është gjë e natyrshme, por duhet të fitosh eksperiencë për t’u bërë më i qetë. Futbolli duhet të luhet në ritme të ndryshme. Ndonjëherë duhet të ecësh, ndonjëherë nuk ke ritëm fare, ndonjëherë duhet ta ndryshosh ritmin. Këtë gjë duhet ta kuptojë ai. Megjithatë, ka aftësi të jashtëzakonshme”, ka thënë Guardiola.