Trajneri Pep Guardiola, tashmë e ka bërë të qartë se sulmuesi Sergio Aguero, do të jetë plotësisht i gatshëm t’i prijë sulmit të Manchester Cityt në Ligën e Kampionëve, ka shkruar të premten “Daily Mail”. Aguero, aktualisht është duke punuar me orar të ngjeshur për të kthyer formën fizike pas dëmtimit të gjurit që e pësoi muajin e kaluar. Mirëpo, Guardiola ka paralajmëruar se sulmuesi argjentinas do të jetë në fushë, duke filluar prej ndeshjes me Real Madridin që do të zhvillohet muajin tjetër. Kjo është ndeshja e kthimit në kuadër të 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve dhe do të luhet në “Etihad Stadium” më datën 7 gusht. Ndeshjen e parë të zhvilluar në “Santiago Bernabeu” përpara se futbolli të pezullohet shkaku i përhapjes së koronavirusit, e ka fituar skuadra e Cityt me rezultatin 2:1.
“Mendoj se të gjithë do të jenë të gatshëm për ndeshjen me Real Madridin, me përjashtim të Mendyt që është i suspenduar. Kur them të gjithë, mendoj edhe për Agueron që po punon dhe pres të jetë plotësisht i gatshëm si pjesa tjetër e futbollistëve”, është shprehur Guardiola. “Është një ndeshje shumë e rëndësishme dhe është mirë që do t’i kem në dispozicion të gjithë lojtarët”.
Aguero aktualisht po rehabilitohet nga tri herë në ditë nga lëndimi i gjurit të majtë dhe do të jetë një lojtar shumë i rëndësishëm për Cityn që po kërkon këtë edicion ta mbyllë me trofeun e Ligës së Kampionëve, pas dështimit në Premier League, ku doli nënkampion për këtë sezon.
“Prej javës së ardhshme do të nisë puna jonë për ndeshjen me Real Madridin, që edhe do të jetë fokusi kryesor”, ka shtuar Guardiola.
Aguero 32-vjeçar, këtë edicion ka qenë njëri prej lojtarëve më të rëndësishëm te skuadra e Cityt. Ai deri para lëndimit, ka shënuar 23 gola në 34 paraqitje në të gjitha garat. Në anën tjetër, te Real Madridi tashmë kanë nisur përgatitjet për ndeshjen e vështirë të kthimit kundër Cityt në udhëtim. Skuadra e Zinedine Zidanet këtë edicion në La Liga e mbylli me titullin e kampionit, të cilin e ktheu në Madrid pas tre vjetësh. Në rast se City kualifikohet në çerekfinale të Championsit, atëherë në këtë fazë do të përballet me fituesin e ndeshjes ndërmjet Juventusit dhe Lyonit, ekipe që edhe nuk e kanë luajtur duelin e kthimit të 1/8 së finales. Lyoni e ka fituar ndeshjen e parë 1:0.