Serbia mund të ketë ndikim brenda dhe jashtë fushës në Kupën e Botës në Katar. Partneriteti në sulm i 22-vjeçarit Dushan Vlahoviq me njërin prej sulmuesve më efikas në futbollin ndërkombëtar, Aleksandar Mitroviq, mund të shkaktojë telashe për mbrojtjet rivale.
Serbinë në Katar e pret dueli me Zvicrën, me të cilën u përball edhe para katër vjetësh në Rusi. Tensione politike u shfaqën kur Serbia humbi nga Zvicra, me golat e lojtarëve me rrënjë nga Kosova, Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri. Serbia e Zvicra janë në të njëjtin grup për Botërorin në Katar.
Serbia po paraqitet për herë të tretë në Botëror.
Pasi dështoi të kualifikohej në Evropianin e vitit të kaluar, potenciali për të qëndruar më gjatë në Katar duket më i madh, bazuar në rezultatet e fundit. Kjo përfaqësuese ishte e pamposhtur në kualifikimet për Kupën e Botës, ndonëse e kishte Portugalinë në grup.
Humbja 3:0 në miqësore nga Danimarka në muajin mars, megjithatë, ishte paralajmërim për limitet e skuadrës që ka shumë talente në mesfushë dhe në sulm, por që ka telashe në mbrojtje.
Pos me Zvicrën, Serbia do të takohet edhe me Brazilin dhe Kamerunin në grupin G. Edhe Brazili ishte në të njëjtin grup me Zvicrën dhe Serbinë para katër vjetësh në Rusi.
Forca e sulmit
Vlahoviq dhe Mitroviq kanë punuar mirë se bashku dhe kanë shënuar shumë gola. Mitroviq është lojtari i parë i Serbisë që ka shënuar 50 gola për Përfaqësuesen. Ata do të mbështeten nga Luka Joviq, që po e rindërton karrierën te Fiorentina.
Dushan Tadiq është lojtari më me përvojë në ekip dhe me lidhje vitale mes sulmit dhe mesfushës. Sergej Milinkoviq-Saviq mund të krijojë shanse dhe të shënojë gola nga mesfusha.
Ndeshja e shumëpritur
Një rivalitet me Zvicrën, e njohur për neutralitetin, mund të vlerësohet i pamundur. Serbia e Zvicra janë larg njëra-tjetrës dhe kanë pak histori të tensioneve politike.
Megjithatë, ndeshja e Serbisë me Zvicrën në Botëror katër vjet më parë ishte shumë e diskutueshme.
Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri formuan figurën e shqiponjës dykrenore pasi shënuan golat, duke zemëruar disa tifozë dhe politikanë serbë. FIFA i gjobiti dy lojtarët, ndërsa e gjobiti edhe Serbinë për “panot dhe mesazhet diskriminuese” të tifozëve të saj, si dhe për hedhjen e gjësendeve.
Trajneri i Serbisë, Dragan Stojkoviq, ka kërkuar që të ulet tensioni.
“Dua ta mbaj ekipin sa më larg politikës. Sa na takon neve, nuk do të ketë biseda të tilla të çmendura dhe probleme të ngjashme”, ka theksuar Stojkoviq.