Njëri prej hendbollistëve më të mirë të Greqisë, Charalampos Mallios, ka se çka t’i këshillojë bashkëlojtarët e tij te Besa Famgas. Kampionia e Kosovës në hendboll, Besa Famgas, është në fazën finale të përgatitjeve para ndeshjes evropiane që të shtunën e luan ndaj Borcit të Banjallukës.
Për Besën dhe hendbollin kosovar në përgjithësi, vlerësohet ndeshje shumë e rëndësishme. Mund të jetë pikë kthese për sukses më të madh në skenën evropiane, sukses që i ka munguar Besës, por edhe skuadrave të tjera të vendit.
Borci ka traditë shumë më të pasur se Besa. Dikur ishte prej skuadrave më të mira në Evropë. Aktualisht udhëheq në kampionatin e Bosnjë-Hercegovinës, por gjasat e Besës dhe të klubit nga Banjalluka janë vlerësuar të barabarta nga të dyja palët. Banjalluka është qyteti kryesor i Republika Sërpskas të Bosnjë-Hercegovinës.
Vjet Borcin e kishte ndalur Olympiacosi grek në raundin e parë kualifikues të Kupës së EHF-së. Në Greqi, Olympiacosi kishte fituar 30:21, ndërsa në Banjallukë kishte fituar 30:25. Mallios, që tani luan për Besën në pozitën e qendrës (organizatorit të lojës), kishte shënuar tri gola në ndeshjen e parë e tri në të dytën. Borci ka ndryshuar pak nga viti i kaluar, kështu që Mallios mund ta përcjellë te bashkëlojtarët “formulën” e suksesit.
Në një intervistë për KOHËN, reprezentuesi i Greqisë ka premtuar më të mirën e tij dhe të bashkëlojtarëve për t’i prezantuar Besën dhe Kosovën në skenën evropiane.
Besa Famgas në raundin e dytë të Kupës Evropiane kishte eliminuar Bosna Visokon, duke e mposhtur dy herë thellë në Pejë. Tani sërish përballet me ekip nga Bosnjë-Hercegovina. Bosnja, për shkak të ndikimit serb, përkatësisht të Republika Sërpskas, nuk e njeh shtetin e Kosovës. Edhe Borci e ka quajtur Kosovën “të vetëshpallurën Kosovë”.
“Borci është ekipi i mirë dhe në moment të mirë. Është në vendin e parë në ligën e Bosnjës. Borci ka 16 lojtarë dhe është ekip i kompletuar. Pres dy ndeshje të forta dhe të vështira”, ka thënë Mallios të enjten për KOHËN.

Ndeshja e parë mes Besës dhe Borcit (Borac) luhet të shtunën nga ora 17:00 në palestrën “Karagaçi” në Pejë. Ndeshja e kthimit është pas një jave në Banjallukë.
“Tani jemi në mesin e 32 ekipeve më të mira në Kupën Evropiane. Është hap i mirë për ne për të krijuar emër në Evropë. Synimi ynë është të jemi në mesin e 16 skuadrave më të mira, për herë të parë në historinë tonë. Ne do të japim çdo gjë në parket për këtë”, ka shtuar Mallios.
Besa Famgas dominon hendbollin kosovar, por në Evropë nuk ka ecur shumë. Ka një dekadë e gjysmë që paraqitet rregullisht, por nuk ka kaluar asnjëherë mbi një kundërshtar. Besa tani ka në përbërje shumë reprezentues të Kosovës dhe po ashtu Malliosin, ikonën e Bosnjë-Hercegovinës, Nikola Prce dhe spanjollin Victor Alonso. Trajner e ka spanjollin Javier Cabanas.
“I besoj ekipit tim pasi e di se sa shumë kemi punuar deri më tani. Ne po përparojmë në secilën ditë, kjo është e qartë. Në këtë nivel në gara evropiane të gjitha ndeshjet janë derbi. Dhe çdo herë dhjetë minutat e fundit janë vendimtarë. Pra, duhet të luajmë fuqishëm në mbrojtje, të kontrollojmë ritmin e lojës, të qëndrojmë të qetë dhe të japim gjithë energjinë. Natyrisht, ndeshja e parë është në shtëpinë tonë dhe është shumë e rëndësishme. Por për të kaluar në raundin tjetër duhet të jemi të koncentruar për 120 minuta”, ka theksuar Mallios.
Ekipi i Borcit, i shoqëruar edhe nga disa gazetarë, të enjten është nisur për në Kosovë. Rrugës do të ketë një ndalje, ndërsa në Pejë vjen për rezultat të favorshëm. Por te Besa janë të përkushtuar për të arsyetuar investimet dhe të bëjnë hap tutje në skenën evropiane. Kupa Evropiane është niveli i tretë i garave, por me skuadra shumë cilësore.
“Jam i sigurt që do të japim më të mirën si ekip për t’i përfaqësuar Besa Famgasin dhe Kosovën në skenën evropiane edhe një herë”, thotë greku Mallios (33).
