Borci i Banjallukës për herë të tretë vjen në Kosovë për të luajtur ndeshje evropiane. Klubi i famshëm i hendbollit nga Republika Sërpska e Bosnjë-Hercegovinës, nga dy udhëtimet e kaluara në Kosovë ishte kthyer me fitore.
Këtë herë Borci nuk është favorit i madh në ndeshjet me skuadrën që po e dominon hendbollin kosovar, Besa Famgas nga Peja. Gjasat për avancim tutje vlerësohen të barabarta.
Shorti i hedhur kohë më parë ka bërë që Borci të detyrohet që edhe një herë ta vizitojë shtetin e Kosovës, që ky klub përmes njoftimeve publike nuk e pranon. Por nëse respektohen rregulloret e EHF-së, që pritet të ndodhë, atëherë flamuri i Kosovës do të shfaqet në palestër në Banjallukë, kryeqendër e Republika Sërpskas, entitetit të Bosnjë-Hercegovinës.
Borci në kuadër të kupave evropiane së pari kishte luajtur me Kastriotin në Ferizaj. Ndeshja e luajtur më 4 nëntor 2006 kishte përfunduar me fitoren 21:18 të skuadrës nga Bosnja. Në Banjallukë, Borci ishte dominues, duke fituar 41:22 dhe kështu avancoi tutje në Challenge Cup.
Me Besa Famiglia, tani Besa Famgas, Borci kishte luajtur në raundin e parë të Kupës së EHF-së në edicionin 2012/13. Në Banjallukë ndeshja kishte përfunduar 31:22 në të mirë të skuadrës vendëse. Borci kishte fituar edhe në Pejë 32:22.
Tani cilësia e Besës dhe e Borcit vlerësohet e përafërt. I njëjtë mbetet edhe qëndrimi i klubit serb nga Bosnja për shtetin e Kosovës.
“Rival i hendbollistëve tanë në raundin e tretë të Kupës Evropiane është KH Besa Famgas nga Kosova e vetëshpallur”, ka shkruar Borci në faqen zyrtare në Facebook, pas hedhjes së shortit më 25 nëntor.
Borci (Borac) është klub i themeluar në vitin 1950. Thirret shumë në traditën e pasur. Madje e konsideron veten prej klubeve më të mëdha në Evropë. Titullin e Evropës e kishte fituar në vitin 1976, ndërsa në vitin 1991 ka fituar Kupën e EHF-së. Ka luajtur në finale të Kupës së Kampionëve edhe në vitin 1975, por ka pësuar. Ka shumë tituj të Jugosllavisë e po ashtu shumë tituj të Bosnjë-Hercegovinës. Është kampion aktual i Bosnjë-Hercegovinës dhe ka pretendime për të kaluar raundin e tretë të Kupës Evropiane, që është niveli i tretë i garave evropiane për klube të hendbollistëve.
Borci paraqitet rregullisht në gara evropiane. Dy vjet më parë arriti deri në çerekfinale të Challenge Cup. Vjet u ndal në ruandin e parë të Kupës së EHF-së nga Olympiacosi, për të cilën skuadër luante qendra aktuale e Besa Famgas, Charalampos Mallios. Më mirë se Mallios, Borcin e njeh Nikola Prce, kapiteni i Besa Famgas. Prce është legjendë e hendbollit në Bosnjë-Hercegovinë.
Borci garimin evropian këtë edicion e nis me ndeshjen ndaj Besës që luhet më 12 dhjetor në Pejë. Ndeshja e kthimit është më 19 dhjetor në Banjallukë.
Besa Famgas në raundin e dytë të Kupës Evropiane e eliminoi një tjetër ekip nga Bosnjë-Hercegovina, Bosna Visokon. Dy ndeshjet janë luajtur në Pejë dhe janë fituar bindshëm nga Besa, 36:18, 32:20.
Besa Famgas paraqitet rregullisht në gara evropiane, por suksesi i ka munguar. Asnjë edicion nuk ka kaluar më shumë se një kundërshtar. Këtë edicion synon më shumë, por ndaj Borcit nuk do ta ketë të lehtë.
“Sa u takon ndeshjeve me Borcin, është sigurisht një kundërshtar i vështirë për ne”, ka thënë Prce për KOHËN. Beku, 40-vjeçar, është lider i Besës. Në klubin pejan presin kontribut të madh prej tij në ndeshjet evropiane. Në Superligën e Kosovës, Besa nuk ka konkurrencë. Ka fituar të gjitha 10 ndeshjet e deritashme. Borci ka pësuar humbje të mërkurën, pas dhjetë fitoreve rresht në kampionatin boshnjak.
“Me Bosna Visokon kemi luajtur shumë mirë dhe kemi fituar thellë. Bosna Visoko i ka pasur telashet e veta, ka ardhur nga karantina, nuk ka ushtruar shumë. Nuk ishte ndonjë dallim i madh në kualitet, por kemi luajtur shumë mirë. Nuk kam pritur se do të fitojmë aq thellë. Tani në raundin e tretë sërish luajmë me ekip nga Bosnjë-Hercegovina. Do të jetë shumë vështirë. Borci është klub shumë i mirë. Në vitet e fundit është në mesin e ekipeve më të mira në Bosnjë-Hercegovinë. Klub me traditë të madhe. Kemi parë disa ndeshje, trajnerin e parë dhe trajnerin e portierëve i kam shokë. Njihemi shumë mirë”, ka theksuar Prce.
Prce, greku Mallios dhe spanjolli Victor Alonso janë angazhuar për më shumë sukses në Evropë. Besa ka në përbërje po ashtu edhe shumë reprezentues të Kosovës. Për trajner e ka spanjollin Javier Cabanas.
“Mendoj se do të jetë 50-50, do të jetë vështirë për ne e për ata. Shumë do të varet nga ndeshja e parë që luhet në Pejë. Mendoj se dy ekipet do ta kërkojnë rastin për avancim tutje. Ne natyrisht do të kërkojmë fitore. Gjatë 120 minutave do të vendosin nuancat. Unë shpresoj që ne do të avancojmë tutje. Të shohim”, ka theksuar Prce, që ndeshje të tilla evropiane ka luajtur shumë. Ai vazhdon të jetë vendimtar te Bosnjë-Hercegovina. Jo shumë kohë më parë ka shkëlqyer në një ndeshje ndaj Gjermanisë.
Te Borci kishin shpresuar që të mos përballen me Besën në këtë fazë garash. Kjo është dëshmi që klubi nga Banjalluka nuk ndihet favorit i madh. Për shkak të ndikimit të serbëve, Bosnja nuk e pranon shtetin e Kosovës.
“Bëhet fjalë për një klub që ka investuar shumë në periudhën e fundit dhe që ka rezultate të mira. Është kapiteni i Bosnjë-Hercegovinës, Nikola Prce, dhe disa reprezentues të vendeve të tjera. Trajneri është spanjoll, kështu që nuk do të jetë aspak lehtë drejt fazës tjetër. Mua si drejtor më takon që t’ia siguroj ekipit krejt çka duhet për udhëtim të sigurt atje dhe rivalit t’ia siguroj të gjitha kushtet e kërkuara në Banjallukë kur të luhet revanshi”, ka thënë drejtori i Borcit, Vladimir Brankoviq.
Borci në udhëtimin e ri do të bindet për shtetësinë e Kosovës dhe për ngritjen e nivelit të hendbollit kosovar.
