Pak informacione janë dhënë për ndeshjen miqësore Zvicër - Kosovë. Deri tash dihen vetëm data dhe vendi ku do të zhvillohet miqësorja në mes të dy përfaqësueseve të futbollit, ndërsa nuk dihet se në çfarë ore dhe sa do të jetë çmimi i biletave. Ndeshja është caktuar të zhvillohet më 29 mars dhe do të luhet në stadiumin “Letzigrund” në Zuerich. Është ndeshja e parë mes përfaqësueseve të dy vendeve që për nga futbolli janë shumë të lidhura.
Ndeshjen mes Zvicrës dhe Kosovës, gazeta e madhe zvicerane “Blick” e ka cilësuar “duel vëllazëror” dhe të veçantë për Granit Xhakën dhe Xherdan Shaqirin.
Të veçantë e cilëson edhe kapiteni i Zvicrës, Xhaka.
Mesfushori i Arsenalit, Xhaka, të dielën për KOHËN ka thënë se do të jetë festë në Zuerich. Ai ka konfirmuar se do të jetë pjesë e Zvicrës në ndeshjen ndaj Kosovës.
“Është një ndeshje shumë miqësore në mes të dy shteteve mike. Do të jetë festë në Zuerich”, ka thënë Xhaka.
Në stadiumin “Letzigrund” pritet të ketë shumë shqiptarë më 29 mars. Për shqiptarët e Zvicrës miqësorja pritet të jetë me shumë interes.
Një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve në Zvicër e identifikojnë veten me të dyja përfaqësueset. Me Kosovën, prej nga e kanë prejardhjen, dhe me Zvicrën, vendin ku jetojnë dhe që ua ka dhënë mundësitë e mëdha. Apo e kundërta, me Zvicrën e Kosovën.
Xhaka i është mirënjohëse Zvicrës, shtetin ku u lind. Por thekson se gjaku i tij është nga Kosova. Kosovën e viziton rregullisht gjatë pushimeve. Herë pas here ka ndihmuar me rekuizita disa klube në Kosovë. Ai ka luajtur në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë kundër disa lojtarëve të Kosovës.
Ka qenë pjesë e miqësores së zhvilluar në mes të shokëve të tij dhe Milot Rashicës, lojtarit të Përfaqësueses së Kosovës.
“Për mua është një ndeshje me emocione të veçanta dhe e dyanshme. Kosovën e kam në ADN, ndërsa Zvicra është vendi ku u linda dhe ndërtova karrierën time futbollistike. Zvicra ka dhënë shumë për mua dhe familjen time, por të gjithë e dinë kontributin tim dhe të familjes sime për Kosovën dhe shqiptarët”, ka theksuar Xhaka, që me Arsenalin ndodhet në Dubai për përgatitje.
Ligat e mëdha të Evropës janë në pushim deri në fillim të muajit të ardhshëm.
Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, dy lojtarët kryesorë të Zvicrës, janë shembulli më i mirë i integrimit të shqiptarëve në sistemin zviceran të futbollit.
Miqësorja me Kosovën është e para e Zvicrës këtë vit në shtëpi. Helvetikët më 26 mars luajnë miqësore me Anglinë në stadiumin “Wembley”, ku Xhaka më 4 qershor të vitit 2011 pati debutuar me fanellën e Zvicrës. Që nga ajo kohë, Xhaka është ftuar rregullisht. Ka marrë pjesë në ngjarjet më të rëndësishme të futbollit me Zvicrën.